Organizata Transparency International publikon raportin e përvitshëm për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në botë ku arrin në përfundimin se 86 për qind e 180 vendeve dhe territoreve, kanë bërë pak ose aspak përparim në luftën kundër korrupsionit në 10 vitet e fundit.
Shqipëria ka pasur një rënie prej një pike në krahasim me vitin e kaluar, nga 36 në 35 pikë.
“Kur flasim për Shqipërinë këtë vit, rezultati është 35 pikë, ndërsa për shembull, dhjetë vjet më parë, rezultati i Shqipërisë ishte 33 pikë, kështu që mund të themi vetëm se ka pasur shumë pak përparim në këtë periudhë 10 vjeçare. Dhe kjo sigurisht nuk është diçka për të cilën mund të jemi optimistë”, i tha Zërit të Amerikës Lidija Prokic, Këshilltarja për Evropën Lindore dhe Juglindore e Transparency International.
Ajo thotë se hapa të tillë si miratimi i reformës zgjedhore janë të rëndësishme, por zbatimi është më i rëndësishëm. Ndërsa vlerësoi reformën në drejtësi si një hap domethënës që mund të ndihmojë në luftimin e këtij fenomeni.
Klan News