Politikani demokrat, Belind Këlliçi thotë se dëshira e tij personale është të fitojë Donald Trump në Presidencialet 2024 në SHBA. Në një lidhje direkte për Klan News nga Miçigani, Këlliçi shprehet se në Miçigan vihet re një interes shumë i madh i qytetarëve amerikanë për të votuar.
Belind Këlliçi: Çdo votë është në lojë në Miçigan dhe Pensilvani. Dëshira ime personale është fitorja e Donald Trump dhe mendoj se është një zgjidhje më e mirë, por kjo është dëshira ime personale. Në Miçigan, interes i jashtëzakonshëm i qytetarëve për të votuar. Është hera e parë që rezulton që të ketë një interes kaq të madh të qytetarëve amerikanë për të votuar.
Gjatë fjalës së tij, Këlliçi thotë se në Miçigan jetojnë dhe punojnë 150 mijë shqiptarë, për të cilët shprehet se mund të bëjnë thellësisht diferencën në votimet në këtë shtet. Demokrati deklaron se shumica e shqiptarëve me të cilët ka komunikuar në shtetin amerikan, mbështesin Trump për platformën e tij elektorale.
Belind Këlliçi: 150 mijë shqiptarë jetojnë dhe punojnë në Miçigan. Ka një zë shumë të madh. Shqiptarët luajnë një rol të madh në këto zgjedhje në Miçigan. Mund të bëjnë thellësisht diferencën në votimet në këtë shtet. Shumica e atyre që kam pasur mundësinë që të bisedoj, mbështesin Trump për platformën e tij elektorale. Shqiptarët mund të kenë një rol kyç dhe vendimtar për këto zgjedhje në Miçigan.
Këlliçi shton se në Miçigan vihet re një mbështetje shumë e madhe për Donald Trump.
Belind Këlliçi: Mbështetësit e heshtur të Trump janë arma e tij më e madhe që për herë të parë kanë dalë hapur në mbështetje të Trump. Vihet re një mbështetje shumë e madhe për Trump këtë radhë. Unë po flas vetëm për shtetin e Miçiganit.
Këlliçi thotë se Partia Demokratike pret një botë më të paqtë nëse fiton Donald Trump në mënyrë që të mos ketë luftë dhe konflikte./tvklan.al