Lajme Arkiva 2003

Në Samitin e Selanikut që do të mbahet në qershor nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian shteteve që pritet të anëtarësohen së shpejti dhe vendeve të Ballkanit perëndimor përfshirë Shqipërinë do të diskutohet për një nga hapat më të rëndësishëm për rajonin tonë liberalizimi i vizave do të  jetë një nga çështjet që pritet të shtrohet në këtë tryezë të vendimmarrjes evropiane.

Dokumentet e Samitit të paraqitura në Komisionin Evropian nga komisionerei i jashtëm Chris Patten i janë përcjellë zyrtarisht edhe Shqipërisë. Kryenegociatori i marrëveshjes së stabilizim asocimit për palën shqiptare, Ministri i Integrimit Sokol Nako, ishte në studion e Klan Lajme ku theksoi detyrat që i dilnin qeverisë shqiptare për të shkurtuar kohën e liberalizimit të vizave me vendet e Bashkimit Evropian.

Sokol Nako: Një nga çështjet që për herë të parë shfaqet me forcë në një dokument të tillë është edhe ajo e mundësisë së liberalizimit të regjimit të vizave ndërmjet vendeve të Ballkanit dhe Bashkimit Evropian,  që natyrisht do të kërkojë shumë punë, do të kërkoj shumë përpjekje dhe shumë hapa për tu realizuar për shkak se duhen plotësuar ato standarde që aplikohen edhe në vendet e Bashkimit Evropian.

Mirela Milori: Ka ndonjë kohë përsa i përket kësaj? Ndoshta e ëndërrojnë shqiptarët ditën që do të presin vetëm një biletë për të shkuar në Itali.

Sokol Nako: Natyrisht është detyra jonë që këtë kohë ta bëjmë sa më të shkurtër, por duhet patur parasysh se kjo është një detyrë shumë komplekse që para së gjithash varet nga ne. Forcimi i kontrollit kufitar, përmirësimi i standardit të dokumenteve të udhëtimit dhe në përgjithësi ulja e nivelit të trafikimit të qenieve njerëzore, të paligjshme kuptohet nëpërmjet territorit të republikës së Shqipërisë , por megjithatë është shumë e rëndësishme që për herë të parë ky angazhim njihet dhe caktohet si një nga prioritetet e marrëdhënieve të cilat do të zhvillohen nëpërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve tona, përfshirë edhe Shqipërinë.

Zoti Nako ka shpjeguar edhe marrëveshjen e negociuar me Bashkimin Evropian për ripranimin e personave të papajisur me leje qëndrimi.

Sokol Nako: Kjo është një marrëveshje që do të hyjë në fuqi njëkohësisht me marrëveshjen e stabilizim-asocimit dhe ne po përpiqemi që ato klauzola apo ato pjesë të marrëveshjes që na detyrojnë ne të pranojmë edhe shtetas të vendeve të treta të cilët ilegalisht kanë përdorur territorin shqiptar për kalime në vendet e Bashkimit Evropian, të hyjnë në fuqi në një fazë akoma më të mëvonshme përpara se të jenë përgatitur kushtet ligjore por edhe infrastruktura për ripranimin e kësaj kategorie personash.  Kështu që do të doja ti siguroja të gjithë që kjo marrëveshje jo vetëm që nuk do të sjellë shtimin e numrit të personave që kthehen në Shqipëri por do të sjellë më shumë siguri edhe për ata persona të cilët deri më tani janë ndeshur me keqkuptime përsa i përket provimit të statusit të tyre të ligjshme ose janë në vendet e Bashkimit Evropian. Kemi pasur shumë ankesa nga qytetarët tanë për grisje të dokumenteve nga policia ndërkohë që kjo marrëveshje synon të standardizoj për të gjithë vendet e Bashkimit Evropian mënyrën e sjelljes së organeve të rendit atje. Natyrisht kjo përmban detyrime edhe për organet tona të rendit, për forcimin e kontrollit kufitar, për tu bërë kështu një mjet efikas në forcimin e kontrollit kufitar, në funksionin e menaxhimit të këtyre kontrolleve dhe harmonizimi i tyre në kuadër të bashkëpunimit rajonal, pra duke plotësuar edhe një nga parakushtet për atë që thamë më sipër për krijimi e një zone të lëvizjes së lirë qoftë në Ballkan apo qoftë edhe në vendet e Bashkimit Evropian./tvklan.al