Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Pushuesve kosovarë që do të zgjedhin bregdetin shqiptarë, për të kaluar pushimet këtë verë, do t’u krijohen një sërë lehtësirash nga qeveria shqiptare. Ministri i Turizmit dhe Rregullimit të Territorit Bashkim Fino, së bashku me Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës Ali Jakupi, kanë hapur zyrtarisht në Prishtinë sezonin turistik 2004, ku u çel dhe një panair promovues për turizmin e Shqipërisë.
Bashkim Fino: “Unë mendoj që do të japim tjetër hapësirë dhe tjetër vizion pastrimi edhe plazhit tonë, i cili më duhet të them, që në plazhin e Durrësit është një plazh masiv dhe që kosovarët vazhdimisht dhe çdo vit kanë qenë prezent në këtë lloj plazhi dhe ne ndaj po e bëjmë këtë lloj promocioni, për t’i garantuar atyre që vërtetë sivjet janë marrë masat shumë herë më të mira dhe nga viti i kaluar qoftë në drejtim të pastërtisë, dhe të higjienës, por edhe të rregullimeve të segmenteve të caktuara të rrugës”.
Një numër biznesmenësh shqiptarë, prezantuan në këtë panair, investimet e tyre në bregdetin e Adriatikut.
“Kemi filluar një punë paraprake dhe ne klientelës që vjen kryesisht nga Kosova, se duhet të pranojmë dhe të jemi realistë, që ne pjesën dërrmuese të klientelës e kemi nga Kosova, i ofrojmë çmime më të ulëta, i afrojmë një infrastrukturë më të mirë se sa viti që kaloi, në lidhje me të gjitha problemet”.
Gjatë vizitës së tij dyditore në Prishtinë, ministri Fino u takua me kryeministrin kosovar Bajram Rexhepi. Rexhepi u shpreh entuziast për masat që ka marrë qeveria shqiptare për të mos penguar turistët kosovar në kufi, të cilët duke filluar nga ky vit, do të mund të hyjnë në vendin tonë, qoftë edhe me një dokument të vetëm identifikimi.
Bajram Rexhepi: “Mendoj se ata që kanë kalu pushimet në Shqipëri, kanë çka të tregojnë dhe çdo herë shihet një përparim dhe në infrastrukturë, në krijimin e lehtësimeve gjatë trafikut, ku është kërkuar që kosovarët të mos kenë kurrfarë pengese gjatë udhëtimit dhe sigurisht dhe në pikën doganore të kenë lehtësime, mos të kenë burokraci të tepruar, prandaj të gjitha parakushtet, që edhe më tutje të kenë oferta shumë serioze”.
Bashkim Fino: “Qeveria shqiptare ka nxjerrë një vendim që, që nga 1 Qershori kur fillon sezoni turistik dhe deri në fund të Shtatorit, s’do ketë asnjë pengesë për asnjë kosovar, për të kaluar në pikën kufitare të Morinës, boll që të kenë një dokumentacion dhe një pasaportë, apo një patentë dhe nuk do të kenë asnjë lloj problemi për hyrjen në Shqipëri, për të kaluar pushimet”.
Gjatë takimit me Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë Ali Jakupi, ministri Fino e vuri theksin në masat që po merr kjo ministri për t’ju ofruar turistëve kosovar, të gjitha komoditetet gjatë pushimeve në bregdetin shqiptar.
Ali Jakupi: “Turistët nga Kosova, ata që dëshirojnë të pushojnë në Shqipëri, me ato mrekullira që janë në bregdetin shqiptar nuk do të gabojnë, por do të jenë shumë të kënaqur. Këtë e them, nga shkaku se të gjitha ndërmarrsitë e këtij procesi, janë në nivel të duhur dhe ato janë çështje që do ta trasojnë një rrugë të sigurt, një rrugë të kënaqshme që nuk do të harrohet dhe do të synohet që të shkelet edhe herëve të tjera”.
Fino u takua dhe me Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor Etem Çeku. Dy ministrat folën për projektet që ka Shqipëria dhe Kosova për të tërhequr gabimet e shumta që janë bërë në fushën e ndërtimit.
Për të promovuar turizmin tonë, Këshilli Rinor Shqiptar, si dhe Parlamenti Rinor i Kosovës, kishin organizuar një ceremoni të përbashkët në Prishtinë, ku promovuan dhe stendën e Panairit të Librit.
Vitin e kaluar në bregdetin e Adriatikut, kanë pushuar rreth 200 mijë kosovarë. Krahasuar me vitin 2002, numri i turistëve nga Kosova është rritur me 27%, vetëm gjatë sezonit 2003, vendi ynë ka përfituar nga turizmi 400 milion dollarë. Turistët kosovarë zënë vendin e parë për fluksin e lartë të pushuesve që zgjedhin Shqipërinë për të pushuar./tvklan.al
Gazetare – Elja Zotka