Pavarësisht paralajmërimeve për shmangien e deklaratave politike të cilat mund të shkaktojnë reagime të forta, Presidenti i Serbisë, Boris Tadic, në urimin për pashkë drejtuar serbëve në Deçan, nuk ngurroi ta cilësonte Kosovën pjesë të Serbisë. Pritet që kjo deklaratë të ngjallë reagime tek Prishtina zyrtare.

Boris Tadiç: “Është një e premte e mirë, një ditë e trishtë për të gjithë të krishterët, një ditë shprese për të gjithë kristrianët. Mesazhi im është një mesazh paqeje, paqe për serbet, paqe për shqiptaret, për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë, në Serbinë tonë. Pa paqe nuk mund të kemi një jetë të denjë, pa paqe s’mund të kemi një jetë normale”.

Pas debateve të gjata, kryeministri Thaci pranoi të lejonte hyrjen e Tadic në Kosovë, por me një kusht, që ky i fundit të mos bënte deklarata politike.

Por ndryshe nga sa pritej, pavarësisht urimit për pashkët, presidenti serb e cilësoi Kosovën pjesë të Serbisë duke anashkaluar faktin se Kosova tashmë është një shtet i pavarur që gëzon mbështetjen e fuqive më të mëdha perëndimore.

Mediat kosovare e cilësuan vizitën e tij të shkurtër në Kosovë si një tjetër dëshmi në të cilën Prishtina zyrtare tregoi edhe një herë se sa pavarur dhe plotfuqishme ishte për veprimet e saj./tvklan.al