Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Emigrantët vazhdojnë të jenë mbështetësit kryesorë të ekonomisë shqiptare. 366 milion dollarë, kanë hyrë në 6 muajt e parë të vitit si të ardhura nga emigrantët shqiptarë me banim jashtë vendit. Këto të ardhura, sipas raportit të bilancit të pagesave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, përbëjnë rreth 96% të transfertave korrente totale.

Sipas Bankës së Shqipërisë, këto të ardhura kanë shënuar një rritje prej 18% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë që transfertat e emigrantëve kanë ardhur duke u rritur në tre mujorin e dytë të vitit më 20 milion dollarë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, transfertat e emigrantëve,  kanë financuar rreth gjysmën e deficitit në mallra dhe shërbime. Sipas ekspertëve, pas legalizimit dhe bashkimeve familjare, të ardhurat e emigrantëve do të bien ndjeshëm, duke sjellë probleme jo vetëm për familjet e tyre në Shqipëri, por edhe në ekonominë vendase, e cila shënon transfertat e emigrantëve si të ardhurat kryesore./tvklan.al