“Tirana Training Center” është projekti më i ri për të rinjtë krijues, një qendër, me një nga programet më transformuese për industrinë kreative në Shqipëri, një bashkëpunim me SHBA-të, e cila do të shërbejë si katalizator për zhvillimin e kinematografisë dhe prodhimeve audiovizuale në Shqipëri, duke ofruar trajnime profesionale për deri në 400 studentë njëkohësisht, në fusha si aktrimi, regjia, animacioni, prodhimi, shkrimi dhe më shumë.

Por jo vetëm, qendra do të jetë një urë lidhëse mes industrisë krijuese dhe tregut ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e profesionistëve nga HBO, Netflix, Warner Brothers dhe të tjerë.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në prezantimin e qendrës, në mjediset e ish-Kinostudios Shqipëria e re, së bashku me Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja si dhe bashkëpunëtorë dhe drejtues të Qendrës.

 “Tirana Training Center” do të shndërrohet shumë shpejt në katalizatorin e një revolucioni epokal transformimi të shumë nevojshëm për industrinë kreative në Shqipëri” – u shpreh Ministri Gonxhja, teksa theksoi se “Këtu së pari duam të stimulojmë krijimin e një dege të re të arsimit profesional që lidhet drejtpërdrejtë me fushën e filmit dhe ekranit përfshirë të gjithë komponentë e saj. Ky do të jetë një investim i vyer në edukimin dhe formimin e brezave të rinj që do të kontribuojnë në këtë industri sfiduese dhe konkurruese që duhet të ecë me hapat e kohës.”