Pamjet më poshtë tregojnë momentin tragjik kur një avion pasagjerësh përplaset gjatë uljes, me murin rrethues të aeroportit të Muanit në Korenë e Jugut dhe shpërthen në flakë.
Autoritetet vendase konfirmojnë deri më tani gjetjen të pajetë të 179 trupave nga 181 që fluturonin në bordin e mjetit fluturues Boing 737 të kompanisë ajrore koreane Xhexhu Air. 2 nga 6 pjesëtarë të bordit i shpëtuan tragjedisë dhe u dërguan në spital për kurim dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet thanë se janë identifikuar deri më tani 65 viktima. Dy nga pasagjerët e këtij avioni ishin shtetas të Tajlandës, ndërkaq pjesa tjetër besohet se ishin nga Koreja e Jugut. Gjithashtu janë gjetur të dyja kutitë e zeza. Ato janë regjistruesi i të dhënave të fluturimit dhe regjistruesi i zërit të kabinës ku pritet të zbulohet më shumë shkaqet që çuan në këtë aksident tragjik.
Tragjedia ndodhi rreth orës 09:30 me orën lokale. Avioni ishte nisur nga Bangkoku drejt Muanit, qytetit jugor të Koresë së Jugut. Shkaqet e tragjedisë janë të paqarta, por dyshimet paraprake janë se rrotat e avionit nuk u hapën në momentin e duhur për shkak të një difekti të shkaktuar nga goditja e një grumbulli shpendësh.
Sipas mediave ndërkombëtare, kontrollorët e trafikut ajror paralajmëruan pilotin të mos ulej për shkak të pranisë së një grumbulli shpendësh që fluturonin pranë pistës. Brenda 2 minutash lëshoi sinjalin e fatkeqësisë dhe u ul në drejtim të kundërt, çka rezultoi fatale.
Tragjedia ndodh në mesin e një prej krizave më të rënda politike në vend, kur brenda një muaji është ndërruar 3 herë presidenti.
Pak orë pas kësaj tragjedie, dy incidente të tjerë gjatë uljes u shënuan në Norvegji dhe Kanada. Një tjetër avion Boing 737 kreu ulje të detyruar në Oslo pas një defekti me sistemin hidraulik.
Ndërsa në Halifax një avion u përfshi nga flakët në ulje problematike si pasojë e mosfunksionimit të njërës nga levat e uljes. Në këto incidente nuk pati të lënduar.
Tv Klan