Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Pas dy operacioneve të bujshme, por jo me sukses nga ana e policisë së shtetit për të evidentuar dhe bllokuar makinat e trafikuara, tani është menduar të zbatohen të tjera metoda, madje në bazë të një strategjie të veçantë për shmangien e këtij fenomeni në vend. Kësaj radhe është ICITAP, organizata për trajnimet kundër trafiqeve dhe krimit ndërkombëtar që do të asistojë dhe do të monitorojë një proces të tillë.
Operacioni konkret do të zbatohet nga strukturat përkatëse të Ministrisë së Transporteve. Ky dikaster ka kompetencat bazë për dhënien e targave të automjeteve që futen në Shqipëri.
Gjatë operacionit “Liqen 1” dhe “Liqen 2”, bllokimi i makinave të tipit të fundit me qëllim verifikimin e origjinës së makinës, rezultoi jo i suksesshëm, pasi këto automjete ishin të pajisur me dokumente dhe leje qarkullimi përkatëse, ndërsa hetimi nga ana e prokurorisë për dokumentacionin e blerjes në shtetet e tjera është jashtë praktikës të bashkëpunimit mes organeve homologe të akuzës.
ICITAP do të fillojë zbatimin e projektit me trajnimin e disa zyrtarëve të Ministrisë së Transportit, me njohjen dhe identifikimin e mjeteve të trafikuara nëpërmjet disa faqeve në internet, që deklarojnë mjetet e vjedhura në disa shtete të ndryshme. Gjithashtu, qëllimi i trajnimit do të jetë rritja e aftësisë për të dalluar mjetet e parregullta dhe hapi më final dhe i sigurt i kësaj strategjie, do të jetë monitorimi nga oficerët e ICITAP, pranë strukturave përkatëse që merren me regjistrimin e mjetit./tvklan.al