Pesë qytetarë u betuan këtë të hënë për marrjen e shtetësisë shqiptare në Bashkinë e Tiranës. Në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i ftoi që të bëhen pjesë e energjisë së jashtëzakonshme të kryeqytetit.

“Ju uroj shumë sukses dhe ju falënderoj që bëheni pjesë e asaj që ne e quajmë ‘skuadra Shqipëria’ ose ‘skuadra e Tiranës’. Në qoftë se të tjerët poshtë pemës së Vitit të Ri kanë dhurata të ndryshme, ju do të keni shtetësinë e re”, tha Veliaj.

Sipas Veliajt, ky është një vit i veçantë për Tiranën, duke qenë se lë stafetën e Presidencës së rrjetit të bashkive të Ballkanit, dhe merr titullin Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025.

“Kjo të thotë se për shumë prej jush, do të ketë një mundësi fantastike për t’u përfshirë në jetën e qytetit, për të qenë të angazhuar, për të sjellë ndoshta idetë dhe kontributet tuaja në këtë mision për Tiranën. Shpresoj që secili prej jush, pasi të betohet, ta konsiderojë veten pjesë të këtij misioni dhe pjesë të kësaj energjie të jashtëzakonshme të Tiranës tonë”, tha Veliaj.

Tv Klan