Ky është personi që dyshohet se vrau pak ditë më parë në New York imamin 55-vjeçar, Maulama Akonjee, dhe ndihmësin e tij, Thara Uddin. Oscar Morel akuzohet nga policia e New York-ut për krimin e dyfishtë.

35-vjeçari u arrestua të dielën, pasi kreu manovra të rrezikshme dhe aksident me makinë, fill pas krimit. Departamenti i policisë njujorkeze njoftoi se mbi Morel rëndon edhe akuza e armëmbajtjes pa leje.

Imami Akonjee me origjinë nga Bangladeshi, dhe ndihmësi i tij Uddin, u vranë të shtunën pas krahëve me një plumb në kokë, në komunën e Quensit, teksa po encin pasi kishin kryer faljen e Namazit.

Të hënën, qindra persona morën pjesë në funeralin e zhvilluar sipas zakoneve islame, në nder të dy viktimave.Vrasja e dy praktikantëve të fesë islame rriti më tej tensionet në SHBA. Të shumtë ishin besimtarët myslimanë të cilët e cilësuan krimin si të nxitur nga urrejtja fetare, por policia amerikane nuk nxitohet të shprehet për shkakun e vrasjes, dhe thotë se nuk ka prova se ajo u krye për shkak të besimit fetar.

Tv Klan