Vrasja e dy policëve në Kukës është dënuar nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar. Presidenti i Republikës Bamir Topi, në një mesazh drejtuar familjarëve të viktimave është shprehur, se rënia në krye të detyrës e punonjësve të policisë është një humbje e madhe për forcat e rendit dhe të gjithë qytetarët që mbështesin uniformat blu, në ruajtjen e sigurisë në vend.
Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar si akt makabër ekzekutimin e dy punonjësve të policisë. Në mesazhin e tij, kreu i qeverisë shprehu solidaritetin e plotë me familjarët dhe i siguroi ata se autori i këtij krimi do të marrë dënimin maksimal.
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli mori pjesë në ceremoninë mortore të dy punonjësve të policisë. Ajo shprehu gatishmërinë për t’i qëndruar pranë familjeve në këto çaste të vështira.
Jozefina Topalli: “Për fëmijët do të kujdesemi bashkë, shteti, qeveria do mendojnë për t’ju mbështetur me rrit fëmijët e tyre.”
Kreu i opozitës Edi Rama në një mesazh ngushëllimi drejtuar të afërmve, e ka cilësuar si tragjike humbjen e jetës së Ramadan Hilës dhe Shkëlzen Dobroshit. Nisur nga kjo ngjarje, Partia Socialiste ka deklaruar se situata e kriminalitetit në vend është shqetësuese dhe se qeveria duhet të hartojë një strategji për ta përballuar atë.
Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim u ka shprehur ngushëllimet familjeve të dy efektiveve të policisë së shtetit që mbetën të vrarë në krye të detyrës./tvklan.al