Nëse rëndohet situata nga Covid, mësimi do rinisë më 18 Janar
E mërkura do të jetë edhe dita e fundit e shkollës për t’u lënë vend festave të fundvitit. Ashtu siç është deklaruar edhe më herët nga Ministria e Arsimit, pushimet dimërore këtë vit për nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe atyre të mesme do të jenë më të gjata se çdo vit tjetër.
“Ne jemi shumë të ndërgjegjshëm që sistemi online nuk e ka efikasitetin 100% siç do ta kishte mësimi që zhvillohet në bankat e shkollës. Megjithatë siç e thatë dhe ju, kjo është një pandemi dhe kjo është një sakrificë që ne të gjithë duhet ta bëjmë. Por skenari që ne kemi aplikuar në shkollat tona është një skenar fleksibël që varet nga specifikat e çdo shkolle; nga numri i nxënësve, nga hapësirat që ka shkolla dhe situata e pandemisë. Sepse në zona periferike vihet re që numri i infektimeve është shumë i ulët. Dhe konkretisht dhe në këtë shkollë, nga informacioni që mora, pothuajse nuk ka fare raste infektimesh dhe kjo do të thotë që mësimi këtu vazhdon. Normalisht nxënësit janë në bankat e shkollës sipas skenarit të parë. Ndërkohë që skenari i dytë i kombinuar aplikohet më shumë në ato shkolla të mëdha ku ka shumë numër nxënës, ku numri i të infektuarve është më i madhe dhe rreziku i përhapjes së virusit gjithashtu është më i madh. Siç e dini kjo është java e fundit, kanë mbetur edhe 3 ditë nga java që vjen që do të vazhdojë po në të njëjtin skenar. Ndërkohë që për vitin e ardhshëm shkolla do të fillojë jo në datën 4 siç ishte parashikuar në urdhrin fillestar, por në bashkëpunim edhe me Komitetin e Ekspertëve është vendosur të jetë data 11, 11 Janar”.
Por gjithçka do të jetë në varësi të situatës nga Covid në vend. Nëse shifrat e të infektuarve dhe viktimavë pësojnë rritje, opsioni i dytë do të jetë data 18 Janar. Por ajo që mbetet e pandryshuar është skenari i mësimdhënies.
Mësimi do të vijojë të zhvillohet online dhe me prezencë në bankat e shkollës. Duke alternuar ditët një javë 3 ditë pushim dhe një javë dy ditë pushim.
Vitet e tjera nxënësit e fillonin shkollën menjëherë pas festave më 4 Janar.
Tv Klan