Qeveria e kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez planifikon që të shfrytëzojë objektet e një aeroporti privat për ta kthyer atë në një qendër pritje për emigrantët ilegale.
Sipas autoriteteve spanjolle bëhet fjalë për aeroportin Ciudad Real që ndodhet në jug të Madridit. Aeroporti mund të shërbejë si një vend për të ofruar kujdes të përkohshëm për ata që mbërrijnë ilegalisht në bregdetin spanjoll.
Përbëhet nga një ndërtesë terminali 24,000 metra katrorë dhe një pistë 4,000 metra e gjatë. Aeroporti u hap në 2008 dhe 4 vite më vonë shpalli falimentin dhe që ateherë aty janë ulur vetem avionë privatë.
Të dhënat e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët tregojnë se rreth 43,000 njerëz mbërritën në Spanjë gjatë vitit të kaluar, me afërsisht 70% që zbarkuan në Ishujt Kanarie, të cilat po mbajnë peshën kryesore të fluksit të imigracionit në vend.
Njoftimi për shndërrimin e aeroportit në një qendër pritjeje për emigrantët e huaj vjen pasi presidentja e KE Ursula Von der Leyen u bëri thirrje vendeve anëtare të BE të gjenin zgjidhje inovative për problemin e emigracionit dhe pse jo të ndiqnin modelin e marrëveshjes mes vendit tonë dhe Italisë.
Klan News