Anjola Agolli, sekretarja e ish-Ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, ka reaguar mbrëmjen e së martës lidhur me polemikat që u ndezën dy ditët e fundit në shtyp për disa shkresa që pretendohet se janë kaluar me fax personave të ndryshëm në periudhën që ka ushtruar detyrën e sekretares pranë kabinetit dikasterial.

Në një deklaratë për mediat të publikuar në gazetën “Koha Jonë” Agolli ka përgënjeshtruar dokumentet e prokurorisë dhe ka sqaruar se gjatë punës së përditshme nuk ka qenë detyrimi i saj që të fiksojë në memorie persona, individë apo shkresa.

Sipas ish-sekretares së Bumçit versioni i paraqitur nëpër mediat e shkruara është manipulim, ndaj ajo kërkon që t’i jepet hapësirë dhe kohë drejtësisë për të zbardhur të vërtetën, ndërsa në lidhje me shënimin që pretendohet se është i ish-Ministrit të Drejtësisë Agolli sqaron në deklaratën për shtyp se nuk ka patur asnjë kompetencë dhe dijeni për këtë çështje dhe për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje vetë ish-Ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, i është drejtuar prokurorisë.

Aldo Bumçi: “Erdha sot për të depozituar padinë penale kundër një dëshmie të rreme, një dëshmie e cila do të krijojë fakte të paqena, fakte që përputhen plotësisht me ato që thotë Partia Socialiste ndaj informacionit që morëm dje në të përditshmen që citonte. Është dhënë në Korrik të vitit 2008, pra pothuajse një vit më parë. Prokuroria ka një vit që ka hetuar mbi këtë çështje në përgjithësi. Unë mendoj që koha është shumë e rëndësishme. Drejtësia në çdo moment ka vlerë, por drejtësia e vonuar nuk vlen sa drejtësia kur jepet në kohën e duhur. Shkrimi është çështje fakti dhe nuk është çështje opinioni. Shkrimi është individual, çdo person ka shkrimin e tij. Në këtë rast shkrimi është lehtësisht i verifikueshëm që shkrimi shkresë nuk është shkrimi im.”/tvklan.al