Në takimin me banorë të komunës Paskuqan në Tiranë, nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, u ndal tek arritjet e qeverisë në katër vitet e mandatit të saj.

Duke i quajtur argumentet e opozitës dhe kryetarit të saj, Edi Rama, jashtë realitetit që po prekin çdo ditë shqiptarët, Patozi tha se mbajtja e premtimeve është një tregues i qartë i diferencës mes dy kampeve politike.

Astrit Patozi: “Të dëgjosh sot se ç’thotë Edi Rama do të thotë të besosh se ka dy Shqipëri. Shqipëria është vetëm një. Shqipëria është kjo që ju shihni, kjo që ju prekni, kjo që ju konstatoni çdo ditë në shtëpi, në rrugë dhe në familjet tuaja. Shqipëria është kjo, anëtare e NATO-s, Shqipëria është aplikonte në Bashkimin Evropian, Shqipëria është vendi ku dyfishohen pagat dhe pensionet, është vendi ku ndërtohet nga jugu në veri, nga perëndimi në lindje dhe ku sidomos shpresa se ky vend do të ndryshojë vetëm për mirë tashmë është kthyer në bindje për çdo qytetar të saj”.

Premtuam luftë kundër korrupsionit dhe për shkak të goditjes së këtij fenomeni arritëm të mbledhim çdo vit 1 miliard dollarë më shumë dhe që më parë zhdukeshin në xhepat e socialistëve, tha Patozi.

Ai u shpreh se në mandatin e dytë qeverisja e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj do të ketë si prioritet ndërtimin e infrastrukturës rurale./tvklan.al