Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia thotë se situata në Shkodër është e tensionuar për shkak të situatës zgjedhore. Duke folur për incidentin e ndodhur mbrëmjen e sotme në KZAZ nr.3 ku iu vendos zjarri murit të godinës, në një lidhje telefonike me emisionin “Opinion” në Tv Klan, Spahia deklaroi se në Shkodër nuk do të ketë zgjedhje më 30 Qershor. Sipas tij, Bashkia e Shkodrës, që drejtohet nga demokratët, do të zbatojë dekretin e Presidentit Ilir Meta i cili ka anuluar datën e zgjedhjeve vendore.

“Ka ditë në fakt që situata në Shkodër është tejet e tensionuar. Ka dy realitete. Një palë e cila po kërkon me insistim të zbatohet ligji dhe një palë tjetër që funksionon me urdhra verbalë, me urdhra politikë. Jemi në zbatim të plotë të ligjit. Ka një dekret të Presidentit që ka dalë në Fletore Zyrtare. Policia e Shtetit, ndërkohë që Bashkia e Shkodrës ka komunikuar zyrtarisht me instituciuonet më të larta, ku i kërkon lirimin e menjëhershëm të ambienteve në pronësi të Bashkisë Shkodër, policia nuk ka kthyer përgjigje dhe nga ana tjetër me urdhra verbalë ka tentuar të fusë në ambientet e KZAZ nr.2 në rastin e djeshëm përfaqësuesit e Partisë Socialiste. Përveç mungesës së përfaqësimit në Parlament të qytetarëve demokratë, tentohet tani t’i imponohet edhe një votim pa zgjedhjeve”, tha ish-deputeti Spahia.

Lidhur me situatën e sotme në Kzaz nr.3 që iu vendos zjarri, Spahia sqaron se aty ishin mbledhur forca të shumta policie dhe kur mbështetësit e PD shkuan pranë kësaj qendre, gjetën qytetarë që po debatonin me policinë.

“Partia Demokratike kshte thirrur një tubim para KZAZ 2 menjëherë është vënë re një numër i lartë i forcave speciale tek KZAZ 2 të cilët kishin rrethuar zonën. Pra një situatë lufte krejtësisht e panevojshme. Ajo që ndodhi sot është pasqyrë minimale e asaj çfarë mund të ndodhë. Ne jemi njoftuar nga qytetarë për një dyndje të policisë tek KZAZ 3, një sulm i policisë, një uzurpim i policisë. Menjëherë jemi drejtuar me shpejtësi drejt KZAZ 3 ku kemi gjetur forca të shumta policie. Ju mendoni se mund t’i imponohet Shkodrës votime pa zgjedhje? Po shkodranët nuk e kanë pranuar në komunizëm. Mund të ndodhi gjithçka, situata është tejet e acaruar. Prandaj nevojitet ndërhyrja e njerëzve të përgjegjshëm”, deklaroi Bardh Spahia. /tvklan.al