Sali Berisha ka folur sërish për vendimin e qeverisë për të ulur çmimin e energjisë elektrike që ai përsërit se është mashtrim.

“Ti e more me 7 Lekë, e ngrite çmimin në 95 dhe e zbrite në 85. Kjo është zbritje? Ulje tipike elektorale”, tha Berisha.

Sipas kryedemokratit, për shkak të aferës korruptive të Ramës me CEZ-in, shqiptarët paguan me taksat e tyre 900 milionë Euro abuzime.

“Edi Rama, jo vetëm që firmosi marrëveshjen dhe i dorëzoi këto 630 milionë, por i pagoi nga buxheti i shtetit edhe 100 milionë Euro shtesë. Në vitin 2023 me akt normativ, 200 milionë Euro mbështetje buxheti për KESH-in”, u shpreh kryedemokrati.

Por pavarësisht akuzave ndaj qeverisë, demokratët kanë nisur të negociojnë me socialistët në Parlament për të bashkuar votat për të bërë të mundur ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor për votën e emigrantëve.

“Di që po zhvillohen negociata, kërkesa të arsyeshme që shkojnë në favor të transparencës dhe mundësisë së votës të diasporës do të miratohen nga ne, qoftë edhe në rast se do të duhen ndryshime të tjera ligjore”, tha Berisha.

Berisha pranon se nuk do të vendosin kusht rikthimin e koalicioneve në këtë tryezë negociatash.

“Do rishqyrtohet, por nuk mund të them se do të vendoset sepse ne i kemi dhënë përparësi absolute votës së diasporës“, deklaroi kryedemokrati.

Për voten e emigrantëve, Berisha foli dhe në mbledhjen e parë të grupit parlamentar për këtë vit. Ai kërkoi angazhim maksimal për të maksimalizuar votën e të gjithë mbështetësve të PD-së në diasporë.

Tv Klan