Për herë të tretë në historinë e shkurtër të tranzicionit post komunist me mijëra çam kanë udhëtuar drejt pikës kufitare të Qafë-Botës për të përkujtuar 64-vjetorin e dëbimit të tyre nga shteti grek, duke lënë pas shtëpitë dhe pasuritë e trashëguara në breza. Pelegrinazhi i të ardhurve nga rrethe të ndryshme të vendit është ndalur fillimisht në varrezat e fshatit Kllogjerë, vendi ku u varrosën 60 çamët e parë që humbën jetën si pasojë e genocidit të forcave paramilitare greke.
“Me ka mbetur gjithë pasuria, ça do them më unë. Vetëm kemi ikur duke britur e duke qarë, i ka vënë zjarrin shtëpisë tonë greku. Ça i lutem unë zotit edhe gjithë Çamërisë, edhe gjithë popullit shqiptarë, edhe gjithë popullit grek të hapen rrugët të vemi në vendin tonë”.
“20-vjeç, jam 84-vjeç sot. I mbaj mënd sikur, dal atje e shoh dhe shtëpinë”.
Më pas marshimi i çamëve ka vazhduar në pikën kufitare të Qafë-Botës ku mes emocioneve dhe dhimbjes për atë që ndodhi 64 vjet më parë, përfaqësues të komunitetit çam bënë apel për zgjidhjen sipas të drejtës ndërkombëtare të kësaj çështje.
Shpëtim Idrizi: “Është amaneti i të parëve tanë që çështjen çame ta çojmë deri në fund dhe çështja çame siç e shihni vetë ka marrë dimension tjetër dhe padyshim që është në rrugën e zgjidhjes. Unë për vete jam shumë optimist”.
Ekrem Spahiu: “Ne sikurse ishim të unifikuar në të drejtën e popullit shqiptarë të Kosovës, ashtu duhet të jemi të bashkuar edhe për të drejtën e popullsisë çame, e cila është e përkëmbur për kaq vite”.
Pelegrinazhi në kujtim të ditës dhe gjenocidit çam u organizua nën kujdesin e shoqatës Çamëria, deputetit Shpëtim Idrizit si dhe Partisë për Drejtësi dhe Integrim. Ndërkohë që dita në nderim të çamëve vijojë me aktivitet koncertore në Bashkinë e Sarandës./tvklan.al
Gazetare: Anila Sefa