Thiago Motta, do të përjetojë derbin e parë si trajner i Juventusit. Bardhezinjtë përballen këtë të shtunë me Torino-n, një sfidë ku spektakli është i garantuar.
Motta deklaroi se pret një rezultat pozitiv, ndërsa theksoi se ekipi do të japë 200% në fushë. Sipas tij, atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe skuadra ka punuar në kushte të qeta.
“Ekipin e kam parë në gjendje të mirë. Kam ndjesi të mira. Në stërvitje, lojtarët kanë treguar qëndrimin e duhur. Atmosfera duket e shkëlqyer dhe duhet të japim maksimumin për të luajtur një ndeshje të madhe.
Ne e dimë që qyteti e përjeton shumë këtë ndeshje, ashtu si edhe ne. Janë ndeshje që duhen luajtur mirë, në një atmosferë të veçantë. Ne do të përpiqemi të marrim fitoren.
Fizikisht jemi shumë mirë, kemi pasur tre ditë rikuperim të cilat kanë qenë të rëndësishme. Unë kam besim në angazhimin e të gjithëve, si atyre që do ta nisin nga fillimi ashtu edhe atyre që do të futen nga stoli. Jam i bindur se të gjithë do të japin 200% në fushë.
Në mbrojtje po punojmë mirë, si individualisht, ashtu edhe kolektivisht. Megjithatë, ende duhet të përmirësohemi. Të gjithë derbit i kam në zemër, janë të veçantë sepse qyteti i përjeton shumë. Janë sfida që gjithmonë dëshiron t’i fitosh, duhet të futesh në fushë me kokën e duhur, me dëshirë dhe ekuilibër emocional, për t’ia dalë në fund. Sigurisht që nuk dua të jem kalimtar te Juventusi, dua të qëndroj për shumë vite dhe të bëj mirë”, deklaroi Motta.
Sfida Juventus-Torino, do të luhet të shtunën, duke nisur nga ora 20:45, në “Allianz Stadium”. /tvklan.al