Partia demokratike publikon letrën e 22 prillit, të kryeministrit Edi Rama,dërguar nënkryetarit të saj të Komisionit të Sigurisë Flamur Noka, pas interesimit të tij për çështjen e opozitarëve iranianë. Qeveria shqiptare pret të strehojë, brenda vitit 2016, rreth 1900 muxhahedinë, opozitarët iranianë të strehuar në kampe të ndryshme në Irak.
Letra e Ramës është e datës 22 Prill dhe nuk është e qartë se përse Partia Demokratike zgjodhi ta publikojë vetëm tani, aq më tepër që kjo është konsideruar një temë delikate e për të cilën autoritetet nuk kanë dhënë asnjëherë informacion publik.
Për ardhjen e këtij grupi të madh muxhahedinësh u fol fillimisht në shkurt të këtij viti në prag të vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry. Por sërish nuk pati një informacion zyrtar, pasi dhe funksionarët e Departamentit të Shtetit, shpjeguan në atë kohë se “Sekretari Kerry nuk dëshironte të fliste publikisht për zhvendosjen e muxhahedinë pasi mbetet një çështje e ndjeshme.”
SHBA-të i kanë akorduar UNHCR-së rreth 20 milionë dollarë për të përballuar koston e rivendosjes së muxhahedinëve në Shqipëri.
Grupet e para të muxhahedinëve në Shqipëri nisën të mbërrinin në pranverën e vitit 2013, pasi qeveria e ish kryeministrit Sali Berisha ju përgjigj pozitivisht kërkesës amerikane të bërë gjatë vizitës disa muaj më parë në Tiranë nga sekretarja amerikane e Shtetit në atë kohë, Hillary Clinton.
Deri më tani numri i muxhahedinëve ka arritur në 1001 persona. Në përgjigjen e tij dërguar Nokës, kryeministri shpjegon se muxhahedinët “janë integruar në komunitetit dhe jetojnë në banesa kolektive në periferi të Tiranës. Ata janë pajisur me leje qëndrimi dhe karta shëndetësore”.
“Deri më tani nuk është regjistruar asnjë incident serioz. Ata kanë mësuar gjuhën shqipe dhe disa prej tyre kanë filluar punë”, mbyll letrën e tij kryeministri Rama.
Burimi: VOA