Balluku: Shërbimet më pranë qytetarëve
Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor Mat pritet të nisë nga puna brenda pak muajsh. Duke vlerësuar ritmin e shpejtë të punimeve, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se ishte e rëndësishme ngritja e kësaj drejtorie në zonën e Matit, pasi ul kostot për qytetarët.
“Duhet thënë që sot në Republikën e Shqipërisë kemi mbi 880 mijë mjete aktive të cilat kanë nevojë për shërbimet e DPSHTRR-së dhe po kështu ndodhte edhe në zonën e Matit ku shumë automjete të qytetarëve, shumë automjete të bizneseve, ju duhej të shkonin deri në Dibër për të marrë shërbimet”.
Sa i takon stafit, zëvendëskryeministrja u shpreh se bindur se cilësia e shërbimit ndaj qytetarëve edhe në Mat do të jetë në të njëjtin nivel me atë që sot ofrohet në të gjitha zyrat e DPSHTRR në të gjithë vendin.
“Jam e sigurtë që do të gjeni punonjës të mirë, punonjës të cilët janë të kualifikuar për çfarë kërkohet në proceset e DPSHTRR-së dhe mjafton që tashmë të bëhemi gati për të nisur nga puna për të ofruar atë shërbim sipas cilësisë që ne tashmë e ofrojmë në të gjithë Republikën e Shqipërisë”.
Kjo drejtori do t’ju shërbejë qytetarëve të dy bashkive, Mat dhe Klos të cilët këto shërbime i marrin aktualisht në Dibër, duke qenë larg vendbanimit të tyre.
Tv Klan