Kjo e Enjte rezervon finalen e Superkupës së Shqipërisë, mes Egnatias dhe Kukësit. Pas titullit kampion dhe Kupës, tashmë trajneri i rrogozhinasve, Edlir Tetova synon trofeun e tretë brenda vitit.

Sipas tij, pavarësisht gjendjes ku ndodhet Kukësi, nuk do të ketë asnjë tolerim në këtë finale.

“Atmosfera është shumë e mirë. Sapo mbyllëm dy fazat e para. Jemi të impenjuar për ndeshjen më Kukësin. Është një finale dhe përgatitjet kanë shkuar shumë mirë. Pavarësisht se çfarë i ka ndodhur kundërshtarit, është një finale dhe impenjimi është maksimal. Finalja duhet fituar. Është një ndeshje për tu luajtur. Luhet për trofe dhe nuk do të ketë asnjë lloj tolerimi. Mendojmë për trofeun e tretë brenda viti. Është diçka e madhe për mua si trajner dhe klubin”, u shpreh Tetova.

I pyetur për merkaton, trajneri deklaroi se gjithmonë ka vend për afrime të reja, por për momentin fokusi është te ndeshja.  

“Nuk jemi në 100% e asaj që unë kam në kokë. Gjithmonë ekipi ka nevojë për freski. Duhet frymë e re, por lojtarët që kanë ardhur ene nuk i kemi futur ende në rrjedhën e 100%. Të shohim”, u shpreh Tetova.

Ndeshja Egnatia-Kukësi do të luhet ditën e Enjte, duke nisur nga ora 19:00, në stadiumin “Arena Kombëtare”. /tvklan.al