Lajme Arkiva 2003
Gjykata e Krimeve të Rënda do e nisë punën në 1 Janar, këtë e ka konfirmuar Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Sipas nënkrytarit të KLD-së Ilir Panda në krye të gjykatës së shkallës së parë për krimet e rënda, është komanduar Sandër Simoni.
Deri më tani gjyqtar në Shkodër, ndërsa në gjykatën e Apelit është emëruar Vangjush Kallço kryetar dhe Gjovalin Preloca nënkryetar.
Pavarësisht debateve dhe kërkesave veçanërisht nga kryetari i gjykatës së lartë Thimio Kondi lidhur me mjediset ku do të nisë punë gjykata është vendosur që 16 anëtarët e Shkallës së Parë dhe 11 gjyqtarët e Apelit të punojnë përkatësisht në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe atë të Apelit po në kryeqytet.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka dekretuar vetëm 6 anëtarë për shkallën e parë dhe dy për Apelin. Ligji parashikon që Gjykata e krimeve të rënda të shqyrtojë ligjet për krimet të cilat dënohen minimalisht me 15 vjet heqje lirie.
Në këtë mënyrë dosjet që janë në përfundim të hetimeve si ajo për vrasjen e shoferit të prokurorit të përgjithshëm Genci Sina, atentatet ndaj komisarit Gani Malushi, si dhe vrasjet e disa biznesmenëve do të kalojnë në duart e gjyqtarëve të krimeve të rënda./tvklan.al