Zyrtarizohet fraksioni i ri në PS, Ben Blushi, Arben Malaj, Andis Harasani, Kastriot Islami e të tjera figura të njohura të selisë rozë, kanë krijuar “Lëvizjen për mendimin ndryshe” në PS.
Të mbështetur dhe nga anëtarësia socialiste mbi të cilët Rama nuk ka mundur të ushtrojë presionin e tij, këta përfaqësues të lartë të kryesisë së partisë më të madhe opozitare në vend, do të mblidhen nesër për të analizuar situatën e krijuar në parti pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit, si dhe nevojën për ndryshime në statutin e partisë.
Arben Malaj: “Lëvizja për mendimin ndryshe në PS, e cila ka në thelbin e saj modernizimin e PS-së ku momenti i parë është një opozitë brenda institucioneve, që në thelbin e saj do të thotë jo bojkotit. Nesër do të ketë një takim me publikun pikërisht për të qartësuar të gjitha angazhimet që do të ketë kjo lëvizje, e cila nuk është një lëvizje e personalizuar, por është një përgjegjësi që duhet maksimizuar si PS-ja duhet të plotësojë misionin e saj në opozitë, si PS-ja duhet të vazhdojë kontributet modernizuese në politikën shqiptare dhe duke filluar nga momenti i parë që është pikërisht një opozitë e fortë brenda institucionit të shtetit shqiptar dhe një bojkot i qartë ndaj bojkotit të sapo nisur nga PS-ja.”
Duke mos dashur të bëjë komente për kabinetin e ri qeveritar të prezantuar një ditë më parë nga kryeministri Berisha, Arben Malaj ripërsërit qëndrimin e tij mbi vendimin e gabuar të kryesocialistit në detyrë Rama, për të bojkotuar Kuvendin e Shqipërisë. Vendim që po dëmton opozitën dhe po forcon mazhorancën qeverisëse sipas Malajt.
Arben Malaj: “Besoj që ne do të kishim në mundësi të plotë të bënim një opozitë të plotë për qeverinë e krijuar pikërisht në parlamentin, aty ku kemi dhe mandatin tonë. Sapo të na jepet kjo mundësi kjo opozitë do të jetë e plotë, e qartë për të gjitha rrisqet dhe për të gjitha defektet që kjo qeveri mund të sjellë në qeverisjen e shqiptarëve.”/tvklan.alGazetare: Elja Zotka