Partia Socialiste nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme të 15 Nëntorit.

Vendimi u mor nga kryesia e kësaj partie, të martën në mbrëmje, pas një mbledhje që zgjati më pak se dy orë.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama e ka cilësuar si të natyrshëm këtë vendim për të bojkotuar zgjedhjet.

Edi Rama: “Një vendim që është një vijim krejt i natyrshëm në një rrugë e cila rruga e domosdoshmërisë jetike të të gjithë popullit opozitar për të mbrojtur lirinë dhe të drejtën e vet, për të mbrojtur demokracinë, për të mbrojtur votën si një liri dhe e drejtë që nuk mund të tjetërsohet.”

Ndërkohë, ashtu sikurse edhe në mbledhjen e fundit të kryesisë së Partisë Socialiste pas zgjedhjeve të 28 Qershorit, nuk kanë munguar debatet e ashpra dhe zërat kundër Ramës dhe mbështetësve të tij në kryesi.

Deputeti Ben Blushi pjesë e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe ishte një prej atyre që u shprehen kundër bojkotit të Ramës.

Sipas Blushit një parti që nuk merr pjesë në zgjedhje i heq vetes mundësinë për të ekzistuar.

Ben Blushi: “Kryesia mori vendim që ishte shpallur në mënyrë personale nga Edi Rama. Sipas të cilit nuk duhet të futemi në zgjedhjet e pjesshme të datës 15 nëntor. E vetmja mundësi që një parti të ekzistojë dhe një parti që nuk hyn në zgjedhje çdo ditë i heq vetes arsye për të ekzistuar dhe për fat të keq e theksoj që kjo fazë demotivimi do i … mësoj njerëzit të votojnë për PS-në. Qesharake akoma më shumë është që Partia Socialiste kërkon zgjedhje të parakohshme dhe pyetja për të gjithë është në qoftë se ka zgjedhje të parakohshme pas 2 apo 3 apo 6 muajsh prapë nuk do hyjmë në zgjedhje të parakohshme? Sepse ndoshta kushtet që kemi vënë për të hyrë në parlament dhe atëherë nuk do jenë plotësuar. Në qoftë se kushtet që i kemi vënë parlamentit apo qeverisë nuk do jenë plotësuar edhe kur të ketë zgjedhje lokale pas një viti e gjysmë, prapë nuk do hyjmë në zgjedhje lokale?”

Pas bojkotit të parlamentit nga ana e Partisë Socialiste, bojkoti i zgjedhjeve të 15 Nëntorit është aksioni i radhës i lidershipit të kësaj partie, e cila ka vënë si kusht për heqjen e bojkotit hetimin e zgjedhjeve të 28 Qershorit./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka