Tre ditë pasi emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan porositi 1 ton mish nga Kosova tek “Apetit sh.p.k”, sasia e filetos së viçit erdhi në Tiranë përmes pikës doganore të Morinës duke i kaluar të gjitha kontrollet e vulave veterinare të therjes apo edhe falsifikimi i origjinës së mishit.

“Apetit sh.p.k” kishte falsifikuar edhe çmimin për të mos paguar detyrimet në bazë të çmimit real prej 15 Eurosh për 1 kg mish fileto viçi. Drejtuesi i emisionit, Saimir Kodra ka bërë thirrje që t’i thuhet stop “Apetit sh.p.k” dhe të ja heqin të drejtën e importit në vend teksa shton se nuk mund t’i trajtojnë njerëzit sikur janë derra të egër.

Saimir Kodra: Sigurisht që nga nesër, drejtoresha e përgjithshme e AKU-së apo edhe drejtori i përgjithshëm i doganeve apo i doganës së Morinës atje, duhet t’i thonë “stop” këtij “Apetit sh.p.k”, të ja heqin të drejtën e importit në këtë vend sepse nuk mund të na trajtojnë ne si derra të egër, si kafshë, unë nuk ja jap qenit tim, duke besuar dhe ditur, por nuk dua të hap panik se ky mish ka 5 vjet që është therur dhe ne e hamë për afat skadence 1-vjeçare.

Për këtë skandal, “Stop” shkoi në Agjensinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, ku zëdhënësi për mediat pasi u njoh me problemin tha se do të nisë një hetim nga ky institucion në bashkëpunim edhe me institucione të tjera ligjzbatuese për dënimin e këtij fenomeni, që dëmton konsumatorin dhe ekonominë./tvklan.al