Astrit Avdylaj, i konsideruar si kreu i grupit kriminal në Shijak është arrestuar ditën e sotme në banesën e tij. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka bërë publike momentin kur Avdylaj është vënë në pranga. Siç shihet nga videoja, kanë qenë forca të shumta policore që kanë rrethuar shtëpinë e Avdylajt në Shijak.

Krahas pamjeve, ministri Balla ka përgëzuar autoritetet policore për gjetjen dhe ndalimin e Avdylajt teksa shton se bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit po konsolidon revanshin e sundimit të ligjit kundër krimit të organizuar.

“Arratia nga përballja me drejtësinë po merr përgjigjen e duhur çdo ditë. Përgëzime Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe RENEA për gjetjen dhe ndalimin e një shtetasi të kërkuar nga drejtësia në Shijak. Mbështetja për Policinë e Shtetit dhe rritja e bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit po konsolidon revanshin e sundimit të ligjit kundër krimit të organizuar”, shkruan Balla.

Astrit Avdylaj, i njohur edhe me mbiemrat Balliu dhe Sulejmani ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme disa javë më parë. Gjatë ndalimit, 50-vjeçarit i është sekuestruar edhe një armë zjarri tip pistoletë. Ai u shpall në kërkim me kërkesë të SPAK, që ka ngritur dyshime se është i përfshirë në sigurim të kushteve për vrasjen e Durim Bamit.

Komunikimet në aplikacionin “Sky” treguan se si Astrit Avdylaj mbante komunikime me ish-deputetin Arben Ndoka dhe ofrohet ta ndihmojë atë në planin për eleminimin fizik të Durim Bamit. Avdylaj i dërgon nipin e tij Aldo Avdylajn dhe Arben Mërkurin, Ndokës për të realizuar qëllimin./tvklan.al