Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Opozita shprehet e vendosur për të filluar kontrollin në bashkinë e kryeqytetit. Pas paralajmërimeve të komisionerëve socialistë, se çdo fillim kontrolli është i pa ligjshëm, Sokol Olldashi, kryetari i komisionit hetimor parlamentar, që do të hetojë ndër të tjera edhe kryetarin e bashkisë së Tiranës Edi Rama, ka deklaruar në mënyrë ultimative, se me kompetencat që i jep ligji për komisionet hetimore, të martën në mesditë do të fillojë mbledhjen e provave në Bashkinë e Tiranës.

Sokol Olldashi:- “Ftoj të gjithë anëtarët e komisionit, që në orën 12, në bashkinë e Tiranës, të fillojmë procesin e mbledhjes së të dhënave, që janë të domosdoshme për hartimin e planit të hetimit. Veç kësaj, dëshiroj të informojë punonjësit e Bashkisë së Tiranës dhe të të gjitha institucioneve shtetërore, ku do të kërkohen të dhëna dhe informacione, se në bazë të ligjit, komisioni zbaton në mënyrë të drejtpërdrejtë, dispozitat e kodit të procedurës penale të republikës së Shqipërisë. Ndaj çdo përpjekje për të bllokuar komisionin në mbledhjen e të dhënave dhe informacioneve përbën vepër penale, sikurse edhe në rastin konkret, i kujtojë administratës së bashkisë së Tiranës, se duke filluar nga kryetari i saj deri tek portieri, askush prej tyre nuk gëzon imunitet”./tvklan.al