Arlind Bushati humbi jetën si pasojë e atentatit të sotëm në Dobraç të Shkodrës. Edhe pse ende nuk dihet se kush ka qenë ‘objektivi’ i autorëve këtë të Mërkurë, vlen të theksohet se ndaj Bushatit ka patur një tentativë për ta vrarë më 10 Tetor 2024.

Sonte në “Opinion” janë shfaqur pamjet ekskluzive të tentativës së atentatit në Pedonalen e Shkodrës.  Pamjet janë fiksuar nga një biznes përballë lokalit ku ishte ulur Arlind Bushati, i shoqëruar me dy persona të tjerë.

Shihet se një motor me dy persona me skafandra ka ndaluar para tavolinës ku ndodhej 32 vjeçari. Të paktën nga kallëzimi i tij, njëri nga personat ka nxjerrë armën, por sipas Bushatit nuk ka arritur të shkrepet. Dy personat e tjerë që e shoqëronin nuk e kanë kuptuar në momentin e parë. Bushati ka qenë i pari që ka pikasur dy personat sepse ka qenë në pozicion paralel me ta.

Sipas gazetarit Merin Maçi, ky kallëzim i tij është marrë nga Policia e Shkodrës dhe pavarësisht se është ndjekur itinerari i lëvizjës së këtij motori, nuk është arritur të vihet në gjurmët e tyre.

Në “Opinion” u shfaqën edhe pamjet e vënies së tritolit në banesën e familjes Bushati.

Kujtojmë se 32-vjeçari është djali i Xhemal Bushatit, ish-kandidati të PD për Bashkinë e Shkodrës 2 vjet më parë.

/tvklan.al