Partia Socialiste nuk respekton as kushtet e vëna prej saj për t’i dhënë fund bojkotit parlamentar dhe shfaqjet me dy qëndrime të ndryshme brenda pak orësh. Paradite deputetja Eglantina Gjermeni dhe një ditë më parë deputeti Ilir Beqja, deklaruan publikisht, se do të hynin në kuvend nëse Kryesia e Kuvendit do të thirrte një seancë të jashtëzakonshme për situatën e krijuar nga përmbytjet në Shkodër.
Eglantina Gjermeni: “Vetëm në rast se ka një seancë të jashtëzakonshme për situatën e përmbytjeve”.
Dhe kur ky kusht u plotësua brenda pak orësh nga Kuvendi, i cili njoftoi mbledhjen e një seance të jashtëzakonshme për Shkodrën ditën e hënë, vjen dhe qëndrimi dytë i socialistëve, i cili thyen të parin, jo vetëm nga kronologjia, por edhe nga rëndësia e lajmësit. Vetë kryetari Rama tha në një konferencë për shtyp, se socialistët nuk do të jenë në Kuvend.
Edi Rama: “Nuk do ta qëndroj qëndrimin e saj të prerë dhe të qartë, për të mos u bërë fasada demokratike e një parlamenti që nuk ka kurajën të hetojë zgjedhjet nga ka dalë, duke hapur kutitë e votimeve mbi të cilat rri”.
Këto zhvillime brenda selisë rozë erdhën pasi kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u dërgoi një letër çdo njërit prej deputetëve të Partisë Socialiste, ku i kërkoi të ndërpresin bojkotin dhe të shkojnë në parlament. Në tekstin e letrës i cili është i njëjtë për 64 deputetët e pa betuar socialistë, kryeparlamentaria përveç thirrjes së përsëritur tashmë për të hyrë në sallën e Kuvendit, çka do të bënte të vlefshëm edhe mandatin e tyre të fituar në 28 qershor, i informon se ditën e hënë do të zhvillohet një seancë debati për përmbytjet në Qarkun e Shkodrës.
Ajo informon gjithashtu mbi atë që informon Kushtetuta në rastet e një bojkoti të zgjatur dhe u kërkon atyre që brenda 6 marsit të paraqiten në seancë, në mënyrë që të mos bëjnë të pavlefshëm mandatin e tyre. Në mesin e këtyre zhvillimeve Kryesocialisti Edi Rama i pyetur mbi këto qëndrime të ndryshme të Partisë Socialiste mbi bojkotin u përgjigj kështu.
Edi Rama: “Të fala Sandrit, se ditën e diel jeni të ftuar dhe ju”./tvklan.al