Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Presidenti Alfred Moisiu ka emëruar Ylli Alushin zëvendës drejtor të shërbimeve sekrete shqiptare. Me propozim të kryeministrit Fatos Nano, Alushi zëvendëson në këtë detyrë Petrit Myftarin. Myftari ushtroi për disa muaj detyrën e shefit të shërbimeve sekrete, pas shkarkimit të Fatos Klosit.
Sipas këshilltarit për marrëdhëniet publike në presidencë Arian Konomi, lëvizja e krerëve të lartë të SHISH është motivuar me rritjen e shkallës së profesionalizmit në këtë institucion.
Arian Konomi:- “Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, në mbështetje të nenit 3 dhe 93 të Kushtetutës, me propozim të kryeministrit, dekretoi lirimin nga detyra të zv/drejtorit të SHISH Petrit Myftari. Po me dekret të Presidentit të Republikës, në mbështetje të ligjeve të mësipërme dhe me propozim të kryeministrit, emërohet zv/drejtor i SHISH zoti Ylli Alushi. Dekretet hyjnë në fuqi menjëherë”.
Emërimet e fundit janë firmosur pas diskutimeve të disa kandidaturave nga presidenti Moisiu dhe kryeministri Nano./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame