Banorë dhe drejtues të pushtetit vendor në Përmet kanë pritur Presidentin e Republikës Bamir Topi, i cili ka zhvilluar një vizitë në këtë rreth. Në këtë takim kreu i shtetit është ndalur tek proceset integruese që po kalon vendi, duke theksuar se përmirësimi i infrastrukturës së vendit është një nga parakushtet për t’u bërë pjesë e familjes europiane.

Bamir Topi: “Shqipëria mbas shumë pak ditësh do të jetë vend anëtarë me të drejta të plota në NATO. Një gjë e pa imagjinueshme vite më parë dhe të jesh anëtarë i NATO-s do të thotë të të hapen perspektiva të reja. Jam i bindur që sfidat e Shqipërisë moderne, janë sfida që kanë të bëjnë me zhvillimin infrastrukturorë. Është një tendencë që shikohet çdo ditë, që rrugët të përmirësohen, komunikimi të përmirësohet, teknologjia e komunikimit sa vjen dhe përmirësohet”.

Gjatë vizitës së një biznesi të prodhimit të verës në Përmet, presidenti i republikës është shprehur se investimet në sektorët prioritar të ekonomisë duhet të shoqërohen edhe nga politika për mbrojtjen e prodhimit vendas.

Bamir Topi: “Me të marrë statusin e kandidatëve për BE, do të shtohen kërkesat nga BE, çka do të thotë që prodhuesit duhet të shkojnë në 2 linja. Në linjën e rritjes së prodhimit, po dhe rritjes së kualitetit. Vetëm atëherë ne do të çajmë tregjet”./tvklan.al

Gazetari: Njazi Sako