Pas hapjes së kapitullit të parë të negociatave për anëtarësimin në BE, Edi Rama e ka të qartë se në korsinë e re drejt Unionit, kryefjalë e Shqipërisë është përmbushja e reformave. Ndaj dhe në podcast-in e radhës zgjodhi të flasë për misionin që synon të përmbushë brenda 2030-ës me Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni.
“Bashkimi me Europën është një rrugë me dy korsi: korsia e punës së përditshme të reformave, masave dhe vlerësimeve faktike dhe teknike që bëhen në Komisionin Europian dhe është korsia politike, sepse ajo është një familje politike që vendos përtej atyre që janë kritere objective. Do ta arrijmë këtë gjë brenda kësaj dekade. Jam i bindur 100%.”
Gjyqësori dhe lufta kundër korrupsionit janë sfidat kryesore, për të cilat Rama thotë se qeveria e tij arriti të japë edhe frytet e para përmes reformës në drejtësi, që mundësoi zhveshjen nga imuniteti të zyrtarëve të lartë që abuzuan me pushtetin.
“Për herë të parë në historinë e këtij vendi, nga 1912 deri më sot, kemi persona të lidhur me pushtetin politik, me qeverinë në fuqi apo nga ata që ishin në qeveri në një raport shumë më të zhdrejtë se ç’duhet të jetë, që janë hetuar, nën hetim, të akuzuar, të dënuar nga Gjykata të pavarura nga pushteti politik. Si qenka kjo që nuk paskemi bërë progres dhe paska korrupsion gjithandej.”
Përtej unionit nuk sheh asnjë drejtim tjetër për Shqipërinë.
“Askund për ne, në asnjë drejtim përveç se në BE, nuk mund të ketë garanci në breza për liri individuale. BE është hapësira e lirisë së garantuar individuale dhe kjo nuk negociohet, nuk blihet dhe nuk shitet për asnjë gjë.”
Pavarësisht se çështja e integrimit zuri pjesën më të madhe të bisedës me Ministren Pirdeni, Kryeministri foli për herë të parë edhe për ndërhyrjen kirurgjikale për hernien inguinale që kreu në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Po ashtu për qëndrimin tre ditor në shtëpi, që pasoi një axhendë të ngjeshur takimesh të nivelit të lartë nga vizita e presidentit Erdogan, ajo me Kryeministrin Hungarez Orban dhe vizita e tij në Luksemburg në 15 tetor ku Shqipëria dhe BE-ja hapën kapitujt negociues për çështjet themelore.
Tv Klan