Kryeministri Edi Rama ka treguar se pas masave që mori qeveria italiane në Lodi më 22 Shkurt dhe Bergamo më 8 Mars kishte një dalim shumë të madh mes të infektuarve dhe të vdekurve nga koronavirusi në dy zonat.
Postimin që e shoqëron me një grafik dhe një foto të ushtrisë që transportojnë arkivolet e viktimave, Rama thotë se ishin masat ato që frenuan COVID-19 nga Lodi.
“Lodi dhe Bergamo janë dy zona fqinje në Italinë e veriut. Në Lodi masat shtrënguese u morën në 22 Shkurt, ndërsa në Bergamo vetëm në 8 Mars. Grafiku majtas tregon se si masat e frenuan armikun në Lodi, ndërsa në Bergamo ato hynë në fuqi kur armiku kishte përparuar ndjeshëm, prandaj edhe dallimi mes numrit të të infektuarve dhe të të vdekurve në dy zonat fqinje është tronditës! Në foton djathtas karvani i kamionëve të ushtrisë italiane, që transportonte mbrëmë nga Bergamo drejt 12 zonave të tjera të Italisë, trupat e viktimave të luftës, sepse krematoriumi i zonës ka mbingarkesë dhe nuk e përballon dot nevojën për djegien e kufomave”.
Prandaj ai bën thirrje që të shmanget me çdo kusht në Shqipëri katastrofa natyrore që gjunjëzoi edhe sistemin shëndetësor të Italisë së Veriut.
“Ne duhet ta shmangim me çdo kusht dhe çmim katastrofën humanitare që po ndodh në Bergamo dhe në zonat e veriut të Italisë, ku sistemi ekselent shëndetësor ra në gjunjë, sepse nuk u mbrojt nga muri i masave shtrënguese! Durim, durim, durim! Nuk duhet të na ndodhë që ta mësojmë se çfarë të gjen nëse nuk lufton sa s’është vonë”!/tvklan.al