Fitorja e Gjeorgjisë ndaj Shqipërisë në ‘Air Albania’ ka shtuar dhimbjet e kokës te Napoli. Futbollisti kryesor i italianëve Kvaratskhelia rrezikon të qëndrojë jashtë fushave për një kohë të gjatë.
Sulmuesi pësoi një goditje të fortë në pjesën e parë kundër kuqezinjve, çka detyroi edhe trajnerin e gjeorgjianëve për ta ulur në stol. Kvara ndjeu dhimbje të forta dhe kjo ishte edhe arsyeja e zëvendësimit.
Anësori po monitorohet nga stafi mjekësor i napolitanëve, me synimin për ta rikthyer sa më shpejt në fushën e lojës.
Në dyshim mbetet sfida e radhës kundër Kaljarit, teksa Napoli shpreson që të ketë të gatshëm Kvara sa më shpejt të jetë e mundur.
23-vjeçari duhet t’i nënshtrohet kontrolleve të detajuara për të qenë më pas i gatshëm në urdhrat e teknikut Antonio Conte.
Kvaratskhelia ka bërë katër paraqitje në të gjitha garat për Napolin këtë sezon, duke shënuar një gol dhe duke dhënë një asistim. Kontrata e tij me italianët skadon në qershor 2027.
Klan News