Ajo që ndodhi në 21 Janar përshkallëzoi edhe më shumë ndarjet në qëndrimet politike mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri. Mazhoranca e konsideroi gjithçka ndodhi në atë demostratë të thirrur nga Partia Socialiste, një grusht të pastër shteti, për të cilin kërkoi që të bëheshin të gjitha hetimet e domosdoshme, madje edhe nëpërmjet ekspertizës amerikane.
Partia Demokratike shprehu edhe pakënaqësitë e saj ndaj Prokurores së Përgjithshme Ina Rama dhe Presidentit të Republikës Bamir Topi për qëndrimet që ata kanë mbajtur apo mbajnë.
Por opozita e bashkuar, në deklaratat e saj, vazhdon të qëndrojë solide dhe të përsërisë se demostruesit u provokuan nga Policia e Shtetit, duke e akuzuar drejtpërdrejt Kryeministrin Berisha për humbjen e 4 jetëve më 21 Janar.
Hetimet janë ende duke u zhvilluar, për të cilat prania ndërkombëtare diplomatike, por edhe zyrtarë të lartë që mbërritën në Shqipëri nga SHBA, kërkuan që të jenëq gjithëpërfshirëse. Por edhe këto deklarata u lexuan në forma të ndryshme nga palët, të cilat janë të mbërthyera çdo ditë e më shumë me akuza dhe kundërakuza, ndërsa zgjedhjet lokale janë duke u afruar gjithnjë e më shumë.
Opozita është e mendimit se vendi është mbërthyer nga një krizë, e cila po vështirëson së tepërmi qeverisjen e vendit nga Berisha. Ndërsa mazhoranca ecën drejt synimin të fitorës në 8 Maj, duke renditur arritjet e saj në këto vite.
Kreu socialist, Edi Rama, në kërkesat që ka sa i takon zgjedhjeve lokale, ndonëse nuk ka deklaruar bojkot të tyre, flet për krijim të një qeveri teknike, me të cilën do të mund të shkohet drejt zgjedhjeve të radhës.
10-ditëshi i parë i Marsit duhet të shënojë mbylljen e kandidaturave kryesore për zgjedhjet vendore, të cilat në shumë qytete të Shqipërisë kanë mbetur pezull për shkak të krizës politike në vend.
Për të diskutuar mbi qeverisjen në Shqipëri në emisionin “Opinion” ishin të ftuar Ministri i Financeve, Ridvan Bode, deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, analisti Artur Zheji dhe gazetari Lorenc Vangjeli./tvklan.al