Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Miku i mirë njihet në ditë të vështira. Me këtë shprehje popullore Presidenti i Republikës Alfred Moisiu ka përshëndetur personalitetet e larta të rajonit, të SHBA dhe BE.

Brezi i sotëm i politikanëve në Ballkan, tha kreu i shtetit shqiptar, e njeh çmimin e ndërtimit të paqes, sepse ka ende të freskët dhunën e ushtruar nga shtetarët e mëparshëm. Për të konsoliduar mesazhin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, presidenti Moisiu ka vënë në dukje cilësinë shqiptare të harmonisë mes komuniteteve fetare.

Presidenti Alfred Moisiu:- “Për t’ju treguar një shembull konkret tolerance fetare që ekziston në vendin tonë, unë u sjellë duke marrë shkas nga nënkryetari i Bundestagut gjerman që tha mbrëmë, një shembull personal familjar timin. Motra ime ortodokse është martuar me një mysliman, nipat e mi unë nuk e di ça janë, di që janë shqiptarë, di që janë njerëz dhe kujdesemi që ata të rriten dhe të edukohen me virtytet njerëzore. Vajza ime gjithashtu është e martuar me një mysliman”.

Presidenti maqedonas Boris Trajkovski, tha se vendet e rajonit janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Kështu nëse fqinji teshtin, vendet e tjera ftohen. Mosmarrëveshjet, imoraliteti, xhelozia, urrejtja shkatërrojnë popuj, ndaj për hir të gjeneratave të reja, duhet të nisim procesin diplomatik të paqes. Pas politikanëve, kjo frymë tha presidenti Trajkovski, duhet të vazhdojë me artistët, biznesmenët, madje dhe edukatorët, me qëllim që fëmijët të rriten në paqe.

Sipas kryeministrit të Kosovës Bajram Rexhepi, nëse të verbrit drejtojnë shtetin, atëherë së shpejti përfundojmë në humnerë. Ndaj i duhet dhënë fund pasigurisë sipas tij.

Bajram Rexhepi:- “Besoj se në këtë rajon nga qytetarët pritet që ne të demonstrojmë lidership të përgjegjshëm. Lidership të atillë që të dallohet nga çfarë kemi pasur në të kaluarën, nga ai lidership i përshkruar me demagogji, nacionalizëm dhe urrejtje. Ne duhet të ballafaqohemi dhe të pranojmë katastrofat e së kaluarës. Rolin shkatërrues e shkaktuar ndaj të tjerëve si në Bosje e në Kosovë, apo dhe ndaj popujve, si në Shqipëri, Serbi etj”.

Në ditën e dytë të takimit të parë ballkanik, ishte i pranishëm dhe lideri i opozitës Sali Berisha. Ky takim u organizua nga Parlamenti Shqiptar, me mbështetjen e Presidentit të Republikës dhe kabinetit qeverisës. Tavolina ballkanike, për ndërtimin e miqësisë do të organizohet çdo vit dhe në vendet e tjera të rajonit./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj