PE mirëpret marrëveshjen mes mazhorancës dhe opozitës për funksionimin normal të parlamentit
Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato ka nisur të raportojë në Bruksel në Komisionin e Jashtëm të PE rreth situatës aktuale politike në Shqipëri. Eurodeputetët kanë vlerësuar përpjekjet e ambasadorit të BE-së në Tiranë që të gjendet një zgjidhje politike afatgjatë për Shqipërinë në kushtet kur politika shqiptare mbetet e polarizuar.
Gjatë diskutimit të fundit për vendin tonë eurodeputetët theksuan rëndësinë e përfshirjes së të gjithë zërave nga opozita në procesin e reformës zgjedhore për të siguruar një qasje gjithëpërfshirëse.
Ambasadori Gonzato ka mirëpritur vendimin mes mazhorancës dhe opozitës që bën të mundur rifillimin e funksionimit normal të parlamentit. Bashkimi Evropian ka theksuar vazhdimisht se një parlament funksional është çelësi për procesin e integrimit në BE.
Gonzato ka vlerësuar lidershipin politik dhe përgjegjësinë e treguar nga palët në arritjen e marrëveshjes. Ata kanë vlerësuar përkrahjen që ka dhënë vendi ynë për bashkëpunimin rajonal.
Aktualisht vendimmarrja për hapjen e kapitujve të parë të negociatave mbetet e bllokuar për shkak të vetos greke.
Për çështjen Beleri të ngritur nga eurodeputetët grekë kanë marrë përgjigje nga Tirana zyrtare se kjo nuk është çështje evropiane, por e drejtësisë së pavarur.
Klan News