Mbërritja e 16 emigrantëve të parë në portin e Shëngjinit ka tërhequr vëmendjen të gjitha agjencive botërore të lajmeve. Kështu rrjeti i njohur amerikan CNN, i ka kushtuar një hapësirë të veçantë nisjes së zbatimit të marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë. Sipas CNN, kjo ngjarje shënon një ndryshim të jashtëzakonshëm në trajtimin e emigracionit në Mesdhe.
Në shkrim përshkruhet e gjithë procedura që do të ndiqet me këta emigrantë që nga shpëtimi i tyre në det, shoqërimi në portin shqiptar, verifikimi dhe identifikimi dhe më pas shqyrtimi i procedurave të azilit që do të realizohet me anë të videove online me gjyqtarë në Romë. E gjithë kjo sipas marrëveshjes pritet të kryhet në 1 muaj.
CNN shkruan se agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR, do të ketë një rol monitorues të përhershëm në qendra për tre muajt e parë të skemës për të siguruar që nuk ka shkelje të standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. CNN sjell edhe zërat kritikë ndaj kësaj skeme, sidomos në radhët e opozitës italiane.
Këtyre kritikave u është përgjigjur vetë Meloni që thotë se kjo është një rrugë e re, e guximshme, e paprecedentë, por që pasqyron në mënyrë të përsosur frymën evropiane dhe ka të gjitha mundësitë e një rruge që duhet ndjekur edhe me kombet e tjera jashtë BE-së.
Tv Klan