Shqipëria fitoi 1-0 ndaj Gjeorgjisë mbrëmjen e kësaj të Hëne, rezultat që ka rritur besimin jo vetëm te ekipi, por tek të gjithë tifozët. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka rrëfeu për “Opinion” emocionet pas fitores dhe se sa besim ka ai te kuqezinjtë në ndeshjet vijuese.


“Realisht e prisja sepse madje madje që pas humbjes në Tiranë kam menduar që ne këta do t’i mundim në Gjeorgji. Duke marrë parasysh që skuadra të tilla mbase nuk mund të kenë motivimin maksimal. Gjithsesi ndeshje e vështirë pas dy rezultateve negative me një lojë dhe jo paraqitje të mirë. Realisht u gëzova shumë, për skuadrën, për Asllanin, stafin sepse nuk meritojnë të ndëshkohen në tre ndeshje rresht. Janë ekip i bashkuar dhe kishin nevojë për moral. Padyshim që pikët janë të rëndësishme, por edhe morali.”

Teksa theksoi se stadiumi do jetë plot, Duka u shpreh optimist për përballjet e ardhshme.

“Ka filluar shitja e biletave, madje 70% e stadiumit është plotësuar. Mbështetja nuk ka munguar, ky rezultat kënaq dhe spektatorët sepse e kanë mbështetur ekipin shqiptar. Dy ndeshjet e radhës janë të vështira, me kundërshtarë me kualitet. Do të luajmë në shtëpi dhe uroj të bëjmë më të mirën me Ukrainën dhe Çekinë. Kam besim te çunat. Kam besim edhe te publiku në Tiranë.”

Po çfarë ju tha Duka “çunave të Kombëtares” pas triumfit me Gjeorgjinë?

“Në ato momente prej emocioneve nuk e mbaj mend mië. Por di që jemi përqafuar, jemi gëzuar, kemi kërcyer…”

/tvklan.al