Pasi ka konfirmuar rastin e parë të gripit të derrave,ministri italian i shëndetësisë, Mauricio Sakoni tha se pritet një rritje e rasteve me virusin H1N1. Sakoni tha se 53-vjeçari i infektuar me virusin H1N1 tashmë është totalisht i shëruar dhe nuk ka asnjë simptomë të sëmundjes.

Mauricio Sakoni: “Ai u kthye më 23 prill nga Meksika dhe një ditë më pas filloi të shfaqte simptomat: të dridhura, dhimbje muskulore dhe kollë, por nuk kishte temperaturë.  Rreziku i infektimit është dhe më i madh kur ka një diferencë rreth 50 cm midis dy personave, kështu që është e qartë se më të rrezikuarit janë studentët. Për momentin nuk jemi të shqetësuar. Megjithatë, me ardhjen e pushimeve verore do të ketë edhe një rritje të rasteve.”

Në një mesazh drejtuar popullit amerikan, presidenti Barack Obama tha se do të investojë gjithçka për të ndalur përhapjen e mëtejshme të virusit.

Barack Obama: “Ky është një lloj i ri virusi dhe përderisa nuk kemi imunitet ndaj tij, ai ka fuqinë të na shkaktojë probleme. Ndryshe nga viruset e mëparshme të kafshëve, ky është një virus që po përhapet nga njeriu tek njeriu dhe kjo krijon mundësinë e një pandemie. Ja pse ne po veprojmë shumë shpejt dhe në mënyrë agresive. Lajmi i mirë është se H1N1 mund të luftohet me një kurë antivirale, të cilën ne tashmë e kemi në dorë.”

Të dhënat e fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë flasin për 615 raste në 16 vende të botës. Ekspertët thanë se prodhimi i vaksinës do të kërkojë 6 muaj. Rastet më të fundit janë paraqitur në Kinë dhe në Korenë Jugore. Përsa i takon Europës, numri i rasteve me gripin A arrin në 35.

Në Meksikë vendi ku lindi dhe u përhap virusi shënohen deri tani 101 viktima. Sipas MSH 380 persona janë jashtë rrezikut për jetën. Numri total i viktimave të shkaktuara nga virusi H1N1 vazhdon të mbetet 16. /tvklan.al

Gazetare: Bora Sadriaj