Në projektin e Sazanit të përfaqësuar nga grupi i dhëndrit të ish-presidentit amerikan Trump, Jared Kushner, është përmendur emri i një prej kompanive më të mëdha të hotelerisë në botë, Aman Resorts që drejtohet nga Vladislav Doronin. Deri më tani nuk dihet që ai të ketë qenë i interesuar për Shqipërinë.
Në intervistën për “Opinion” në Tv Klan, kryeministri Edi Rama sqaron nëse në këtë projekt do të jetë operimi nga Aman apo kjo nuk është ende pjesë e negociatave. Rama konfirmon se Doronin ka qenë plotësisht i painteresuar për Shqipërinë, por gjatë një vizite është impresionuar dhe ka thënë se do ta shohë si opsion.
Edi Rama: Ai është një tjetër njeri të cilit unë i jam qepur prej kohësh për ta tërhequr në Shqipëri. Ka qenë tërësisht i painteresuar për Shqipërinë, pastaj ka ardhur dhe e ka vizituar Shqipërinë. E kemi shoqëruar, jo unë por e kemi shoqëruar me një ekip njerzish për të parë vende të ndryshme. Ka qenë i befasuar me Tiranën nga zhvillimi dhe me bregdetin nga bukuria. Është larguar duke thënë që unë do ta shoh Shqipërinë si një opsion, por pa dhënë asnjë indikacion konkret. Pasaj e kam parë në publikimin që ka bërë Kushner-i.
Blendi Fevziu: Pra e lidhën investitorët me të, nuk është se jeni ju.
Edi Rama: S’mund të jem unë sepse ajo është një marrëdhënie private por edhe po të isha unë do të isha shumë krenar në qoftë se do të isha bashkuar bashkë.
Fevziu i kujtoi Ramës se Kushner ka patur shef sigurie Charles McGonigal që ia cilësoi si “mikun e tij të vjetër”.
Edi Rama: Më e bukura është që ai ka qenë shpallur nga vetë presidenti Trump si armiku i tij publik dhe kur ai u mor në investigim, presidenti Trump ka bërë një deklaratë me video ku ka thënë “u kalbsh në ferr”. Teoria e konspiracionit këtu është që armiku kryesor, falë meje, pra unë e paskam kam bindur dhëndrin e Trump që të marrë McGonigal dhe ky ka braktisur tani vjehrrin e vet që të bashkëpunojë me mua dhe McGonigal.
Blendi Fevziu: Zona e Zvërnecit është zonë e mbrojtur, si do të bëhet investimi në Zvërnec? Apo nuk shtrihet në Zvërnec?
Edi Rama: Tani e para, nuk e di. Këtë nuk e di.
Blendi Fevziu: Pra keni parë vetëm fotot dhe nuk keni asnjë aplikim, zyrtarisht s’ka asgjë?
Edi Rama: S’kemi asnjë aplikim, s’kemi asgjë.
Blendi Fevziu: Vetëm se këtu ka një ndryshim, Sazani është tokë shtetërore, Zvërneci është tokë private.
Edi Rama: Pikërisht pra se tani flitet për zonat e mbrojtura, flitet për bukuritë e natyrës dhe ka disa gjëra që duhet t’i them unë.
Blendi Fevziu: Do bëj edhe njëherë sqarimin, për Zvërnecin ju nuk keni asnjë ide për momentin, asnjë projekt konkret?
Edi Rama: Nuk kemi asnjë projekt konkret.
Blendi Fevziu: Po as bisedë me të që të ketë shprehur interesin?
Edi Rama: Kemi dëshirë të bëjmë një zhvillim në Sazan dhe ta lidhim atë me një zhvillim në tokë.
Blendi Fevziu: A jua ka hapur këtë bisedë Kushner ndonjëherë?
Edi Rama: Po pra, këtë po them, kemi dëshirë të bëjmë dy zhvillime, një në Sazan dhe një tokë.
Blendi Fevziu: Kjo ka qenë ideja e tij dhe deri tani ka sjellë disa dizajne për Sazanin dhe asgjë për Zvërnecin thoni ju?
Edi Rama: As dizajnin e Sazanit. Aplikimi që bëhet në agjenci është një aplikim, një shprehje interesi me të gjithë profilin e kompanisë, me çfarë dëshiron kompania./tvklan.al