Ardian Ismajli është një nga futbollistët kyç të Kombëtares. Edhe pse nuk pati asnjë minutë në finalet e Europianit, ai mbeti i përkushtuar njëlloj për fanelën kuqezi.

Qendërmbrojtësi tregoi në një intervistë për Tv Klan përjetimet e asaj periudhe, motivin pse rikthehet gjithmonë e më i fortë dhe natyrisht objektivin për fitore në ndeshjen e sotme në fushën e Gjeorgjisë.

“Kam kaluar një periudhë jo të lehtë në kohën e Europianit. Ka ikur koha, e megjithatë kemi kaluar shumë mirë edhe pse nuk luajta. Sa i përket kombëtares, unë gjithmonë kam qenë i gatshëm dhe do jem deri në atomin e fundit”.

Qendërmbrojtësi u rikthye në fushë ndaj Ukrainës. Ai u shpall si lojtari më i mirë i ndeshjes me gol të shënuar dhe gol të shmangur. Ai e bëri këtë vetëm për një gjë.

“Unë gjatë gjithë jetës time kam vuajtur, por vuajtjet më kanë bërë gjithmonë më të fortë. E rëndësishme është që unë jam shumë i fortë momentalisht, por dhe kam një baba që më ka qëndruar gjithmonë mbrapa edhe më ka shtyrë gjithmonë. Ka qenë me mua në çdo aspekt të jetës”.

Ndeshja e mbrëmjes ndaj Gjeorgjisë ka një rëndësi shumë të madhe. Shqipëria ka mundësi të fitojë. Ismajli thotë se mundësi të tillë kishte edhe Gjeorgjia në “Air Albania”.

“Ne do të futemi vetëm për fitore sepse nuk ka asnjë rrugë tjetër për të mbetur në garë për vendin e parë. Gjeorgjia na mposhti neve në Shqipëri me një goditje në portë, ishte fati në anën e tyre sepse ndeshja ishte për një barazim. Ne duhet të dimë me cilët lojtarë kemi punë dhe të jemi gati për ndeshjen”.

Tv Klan