Siguria në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe rritja e shpenzimeve të mbrojtjes mbi pragun 2% te GDP-së ishin në fokus të konferencës së 27-të të shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA-Karta e Adriatikut që u zhvillua në Tiranë.
Në takimin ku morën pjesë vendet nënshkruese të A-5-ës, Presidenti Bajram Begaj u shpreh se bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara mbetet një gur themeli për paqen në rajon. Në funksion të këtij stabiliteti, kreu i shtetit apeloi që edhe vendi i Kosovës të jetë në këtë tryezë.
“Anëtarësimi i Kosovës në Kartën e Adriatikut është i një rëndësie të veçantë jo thjesht për sigurinë e Kosovës, por do i shërbente edhe më tej sigurisë së rajonit.”
Ndërsa për Ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu, krahas promovimit të fqinjësisë së mirë dhe integrimit të plotë euroatlantik, vendet e rajonit duhet të mos bien pre e atyre që duan përccarjen.
“Nuk duhet të lejojmë që të biem pre e interesave dhe ndërhyrjeve dashakeqëse, të cilat përbëjnë një triadë mjaft shqetësuese, dhe për ne si Shqipëri, ato nuk duhet të kenë vend në të tashmen dhe të nesërmen e rajonit tonë.”
Për Gjeneralin Christopher Cavoli,konferenca e Kartës së Adriatikut synon të çojë përpara parimet dhe vlerat themelore të OKB-së.
“Kjo konferencë është një themel dhe punë për ne që të shkojmë përpara për një të ardhme me prosperitet. Partneriteti ynë i vijueshëm dhe i vazhduar, jo vetëm me njëri-tjetrin, por ndër të gjithë ne mbështet këtë synim të përbashkët.”
Gjenerali Cavoli, u takua edhe me Kryeministrin Edi Rama ku u theksuan lidhjet e forta në fushën e mbrojtjes midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, përfshirë rolin kyç të Shqipërisë në NATO dhe përpjekjet e përbashkëta ushtarake.
Tv Klan