Ka mbërritur në portin e Shëngjinit “Guardia Costiera” këtë të Shtunë, anija që do të kthejë sërish në Itali 12 emigrantët që u akomoduan më parë në kampin e Gjadrit. Pas vendimit të Gjykatës së Romës, të 12 emigrantët nga Egjipti dhe Bangladeshi do të zhvendosen në Itali dhe më pas në një qendër pritjeje, ku do të jenë në pritje të procedurave.
Vendimi i gjykatës nuk ka të bëjë me marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë, por me përcaktimin si vende të sigurta të shteteve të origjinës prej nga vijnë emigrantët, sipas një vendimi të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, dhënë më 4 tetor.
Sipas kësaj gjykate, që një vend origjine të quhet i sigurt, ai duhet të jetë i tillë në të gjithë territorin e tij dhe kundrejt çdo individi, i cili duhet të jetë i mbrojtur nga persekutimet, diskriminimet apo torturat në çdo cep të vendit. Italia i quan vende të sigurta origjine Egjiptin, Bangladeshin apo Tunizinë, por Gjykata e Romës thotë se sipas përcaktimit të Gjykatës Europiane të Drejtësisë ato nuk mund të konsiderohen të tilla.
Pas këtij vendimi kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni tha se do mbledhë me urgjencë kabinetin qeveritar.
/tvklan.al