Një emision nga Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu. Me pjesëmarrjen e veçantë të Emiliano Lule.
Në natën e shtatë të “Më shumë dashuri” ndoqët:
Një grua tradhëton të shoqin, i cili gjen mënyrat e tij për ta vërtetuar këtë. E pasi kjo dashuri përfundon, i humburi ngelet fëmija, që si gjithmonë paguan fajet e prindërve. Arjani u nda nga bashkëshortja e tij Ani 2 vite më parë, por djali i tyre, Klejdi prej një viti nuk dëshiron të komunikojë me të atin. Arjani kërkon nga prindërit e ish-bashkëshortes që ta ndihmojnë për të rifituar të birin.
Fatbardha dhe Arjani emigruan në tre shtete të ndryshme për një të ardhme më të mirë për familjen e tyre, duke ndryshuar edhe identitetet. Fëmijët e tyre kanë lindur në shtete të ndryshme dhe figurojnë më mëmësi dhe atësi tjetër, ndaj në Shqipëri nuk kanë një identitet e si rrjedhojë nuk mund as të shkollohen.
Një baba ndërroi jetë nga epidemia e kolerës dhe një grua në moshën 25-vjeçare mbetet e vetme me dy vajzat e saj të vogla, Sofianën dhe Helenën. Kjo e fundit u bë pjesë e “Më shumë dashuri” për të falenderuar të ëmën, Adelinën për të gjitha sakrificat që ka kaluar, dashurinë që u ka falur, si dhe për t’i uruar jetë të lumtur me partnerin e saj.
Të gjithë kemi ëndrrat tona, të cilat na bëjnë të mësojmë sekretet më të mëdha dhe ndjenjat më të fshehta. Donaldi, kapiteni i ekipit “Young Boy”, guxoi dhe i shkruajti “Më shumë dashuri” për të realizuar ëndrrën e tij, për të takuar idhullin e tij, Lorik Canën./tvklan.al