Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s dhe aspiruese për integrimin evropian është e angazhuar në përmbushjen e standardeve demokratike, ku pjesë e rëndësishme është lufta ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimit ekonomik.

Kështu ka deklaruar presidenti i republikës, Bamir Topi në fjalën e mbajtur në samitin e Crans Montanës në Paris.

Topi tha se qeveria shqiptare i ka kushtuar një rëndësi të madhe jo vetëm miratimit të një kuadri bashkëkohor ligjor, por është kujdesur edhe për thellimin e bashkëpunimit me strukturat e agjencive informative të sigurisë, ato të policisë dhe të prokurorisë të vendeve të rajonit.

Bamir Topi: “Shqipëria është pjesë e një sistemi rajonal dhe global në luftën kundër terrorizmit, kundër trafiqeve ilegale, kundër korrupsionit, po luan një rol të rëndësishëm, konstruktiv dhe moderator në rajonin e Ballkanit. Kjo është arsyeja që Shqipëria sot është vend i NATO-s, është në rrugë të sigurtë drejt anëtarësimit në familjen evropiane”.

Forumi i Crans Montanës me temën “Bota pas G-20-s, qeverisja globale dhe lufta kundër krimit transnacional” po zhvillohet në pallatin e asamblesë kombëtare në Paris.

Të ftuar të posaçëm në këtë forum së bashku me Presidentin e Republikës, do të jenë dhe Princi Nikolaus Fon Lihtenshtajn, Ambasador në Belgjikë dhe në Bashkimin Evropian, si dhe Ygete Labele, kryetare e Transparency International./tvklan.al