Hungaria e konsideron thjeshte dhe vetëm çështje teknike procesin e liberalizmit të vizave Shqipëri-Bashkimi Evropian.
Deklarata është e kryetarit të shtetit hungarez, Lazlo Soljon, vend i cili ne 2011 do të marrë presidencën e radhës së unionit.
Mbërritjen në Tiranë me ftesë të presidentit Bamir Topi, homologu hungarez e shoqëroi me garancitë për të ofruar mbështetje për liberalizim te shpejtë të regjimit të vizave.
Lazlo Soljon: “Unë dëshiroj të vë në dukje se Hungaria ashtu siç ka bërë dhe më arë do të vazhdojë të mbështesë procesin e liberalizimit të vizave dhe ne besojmë se kjo është thjesht një çështje teknike se në qoftë se Shqipëria do të arrijë të përmbushë dhe të kënaqë kërkesat teknike siç është pajisja e qytetarëve me dokumente ose kontrolli i mirë i kufijve atëherë ne mendojmë që kjo çështje do të zgjidhet deri në fund të verës së ardhshme. Hungaria jo vetëm do ta ofrojë këtë mbështetje në kuadrin e Bashkimit Evropian, por është gati të ofrojë edhe kurse specifike përgatitje për qytetarët shqiptar në drejtim ët përmbushjes së këtyre çështjeve teknike.”
Dukshëm Hungaria është vendosur në krah të atyre vendeve të unionit që zgjerimin e shohin si garanci për stabilitetin politik dhe ekonomik të vetë Bashkimit Evropian. Kjo është filozofi që do të ndjekin në çdo rast edhe me marrjen e presidencës së radhës së bllokut.
Lazlo Soljon: “Ballkani është i rrethuar nga të dy krahët me vende të Bashkimit Evropian, është në interesin thelbësor të Bashkimit Evropian që midis këtyre dy krahëve të mos ketë një hapësirë e cila të vuaj nga pasiguria politike ose ekonomike dhe kur të marr presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, Hungaria do të ruajë pozicionin e saj në favor të zgjerimit të bashkimit edhe pse mund të ketë shtete të tjera të cilat hezitojnë ta mbështesin këtë zgjerim. Hungaria jo vetëm është e përkushtuar për të qenë në favor të integrimit, por ndjen edhe njëfarë përgjegjësie për ecurinë dhe integrimin e mëvonshëm edhe falë ët gjitha vendeve të Ballkanit.”
Soljon-Topi diskutuan dhe çështje të zhvillimeve politike në Shqipëri. Presidenti hungarez i meshoi rëndësisë se funksionimit normal të kuvendit një çështje e cila sikundër th, është në fokusin kryesor të bashkësisë ndërkombëtare.
Lazlo Soljon: “Hungaria e vlerëson lart rolin stabilizues dhe medator të presidentit Topi për të arritur një dialog të ri politik në mënyrë që edhe institucionet demokratike ët funksionojnë normalisht dhe kështu bashkësia ndërkombëtare e shikon si të rëndësishëm një funksionim normal për parlamentin në Shqipëri.”
Vizita në Tiranë e presidentit të Hungarisë u shoqërua dhe me nënshkrimin e protokollit për ripranimin e personave të paautorizuar si dhe marrëveshjes mbi bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.
Presidenti topi dhe ai homologu hungarez i përkufizuan të shkëlqyera marrëdhëniet Shqipëri- Hungari, por që sipas tyre kërkojnë një nxitje të mëtejshme në aspektin ekonomik.
Turizmi energjia, por edhe bujqësia u renditen si disa nga fushat ku do të fokusohet interesi i investitorëve hungarezë. /tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi