Përmbushje e një cikli, kthim në rrënjët e të parëve. Kështu e quan James Belushi aktin e marrjes së nënshtetësisë shqiptare, që e bën atë një shqiptar të vërtetë, tashmë me të gjitha të drejtat, në një rrëfim ekskluziv për TV Klan.
James Belushi: “Për mua është me të vërtetë emocionuese. Në vendlindjen time unë jam rritur në një komunitet shqiptar. Të jesh një shtetas, qytetar i Shqipërisë, mbush përfundimisht jetën time, që nga fillimi, gjyshi, babai im, gjyshja dhe tani që kthehem. Është fund i një cikli, përmbushja e një cikli për mua. Jam krenar për Shqipërinë dhe për të gjitha arritjet që ka bërë, për atë që më ka dhënë mua dhe familjes time, mendoj se është me të vërtetë fantastike.”
Por, sikundër shumë shqiptare të diasporës që u lindën përtej kufijve shqiptare, edhe James Belushi, vëllai i vogël i këngëtarit të bluzit amerikan Xhon Belushi, përgjatë vizitave të tij ka vërejtur ndryshimet.
James Belushi: “Sa herë që vij në Shqipëri jam i impresionuar nga progresi që po ndodh në vend jo vetëm në anën fizike por edhe në atë emocionale. Njerëzit duket të jenë gjithmonë e më shumë optimistë, të emocionuar, ata hedhin hapa të sigurt përpara, qytetet duken shumë të bukura dhe progresi i biznesit vazhdon të rritet. Është ndryshe. Pjesa tjetër e botës po vuan një rënie e ekonomisë, dhe Shqipëria duket se qëndron ende e fortë, qëndron lartë, kështu që është një kënaqësi të shohësh këtë.”
Jo vetëm dashuria për origjinën, tashmë edhe projektet për të ardhmen do ta sjellin shpesh e më shpesh në vendin e të pareve.
James Belushi: “Kompania me të cilën unë po bashkëpunoj tani është Balkan Resources. Është një kompani që punon në miniera. Jam shumë i lumtur të bëj biznes këtu sepse besoj se të bësh biznes në Shqipëri është fitimprurëse, është e mirë për ekonominë dhe është mirë për njerëzit në Shqipëri që të punësohen. Tani punoj edhe me Eagle Mobile, që më kthen sërish në Shqipëri. Eagle Mobile është pjesë e një komuniteti të madh, me përgjegjësi të madhe, dhe ka dhuruar fonde për fëmijët jetimë, në arsimin dhe edukimin e tyre. Disa nga këta jetime kanë vuajtur humbjen e nënës e të babait. Ata kanë nevojë, kanë nevojë që ti drejtojmë. Kështu që gjithçka që unë bëj këtu, duhet dhe do të ketë qëllimin që unë të jap ndihmën time, me aq pak sa kam mundësi.”
Çdo të thotë për të, të jetë imazh i një kompanie si Eagle?
James Belushi: “Unë jam një aktor, dhe më kanë punësuar për të bërë reklamat për të qeshur dhe simpatike dhe më pëlqen shumë kjo. Mendoj se janë shumë të zgjuar. Mendoj se Eagle Mobile është një kompani e përgjegjshme, ofrojnë shërbim cilësor me një çmim të arsyeshëm, dhe më pëlqen të jem pjesë e një kompanie që ka vlera të mëdha. Dhe kjo kompani ka vlera të mëdha.”
A keni ndonjë mesazh për artistët shqiptare?
James Belushi: “Gjatë xhrimit të kësaj reklame kemi punuar me shumë artistë shqiptarë. Ata janë të gjithë shumë të mirë, shumë të talentuar. I vetmi mesazh që do të jepja është të punojnë sa më shumë që të munden sepse sa më shumë të punosh aq më Professional bëhesh. Po xhirohen më shumë reklama, më shumë filma, po përjetojnë gjithmonë e më shumë, dhe me punën e tyre mund të kenë një impakt, një influencë shumë të madhe në shoqërinë tonë.”
Ai do të bëjë realitet edhe një ëndërr, të kthejë në jetë shtëpinë e Belushëve.
James Belushi: “Është një fshat i vogël shumë i bukur, me mal edhe lum. Është i mrekullueshëm. Është mistik. Dhe do të doja që të rindërtoja shtëpinë ku kanë jetuar Belushët. Është shumë e komplikuar, por është një ëndërr e imja. Por ka qenë gjithmonë ëndrra ime të bëhem shqiptar, dhe ja ku jam.”
Por jo vetëm kaq, pasi Xhejms Belushi do të këndojë e do të bëjë show për të gjithë falas, në Sheshin “Nënë Tereza”, në një koncert Live, që do të transmetohet direkt në Klan.
James Belushi: “Dua të them gjithashtu se këtë të diel, në orën 8 në sheshin “Nënë Tereza”, unë do të performoj muzike live me një grup shqiptar. Dhe jam shumë i emocionuar për këtë. Do të kënaqemi, kështu që shpresoj ta shikoni. Do të këndojmë e kërcejmë kështu që do të kalojmë bukur. Dhe jam shumë i lumtur të mësoj se TV klan po jep filmin “Jeta sipas Xhimit”. Punova në atë shoë për 8 vite në SHBA me 182 episode dhe jam shumë krenar për punën, jam krenar që po transmetohet në Shqipëri. Në disa episode luajnë dhe fëmijët e mi, kështu që nëse e shihni do të arrini të gjeni se kush janë të mitë.”/tvklan.al
Gazetare: Irma Toptani